21 korrik, 2017 – Kombëtarja e Kosovës U-19 në konkurrencën e femrave në stadiumin e fushës sintetike në Ferizaj, sot e ka mbyll grumbullimin e saj treditorë, për të vazhduar javën që vjen më 25 dhe 26 korrik një tjetër grumbullim në kuadër të përgatitjeve për Kampionatin evropian 2018. Përzgjedhësi Kushtrim Munishi edhe në ditën e tretë i ndihmuar nga bashkëpunëtorët e tij Megzon Visoka dhe Labinot Qosa kanë sprovuar futbollistet dhe tashmë kanë pasqyrë më reale për gjendjen e secilës futbolliste sikur që edhe grumbullimi i ardhshëm javën tjetër dhe ai në gusht do të kristalizojnë gjërat edhe më shumë.
Kushtrim Munishi, përzgjedhës
Sot mbyllëm një cikël treditorë të stërvitjeve dhe tash unë dhe bashkëpunëtorët e mi i kemi detektuar përparësitë dhe mangësitë e këtij grupi dhe në grumbullimin që do ta kemi javën që vjen si dhe atë në gusht do ta kemi edhe më shumë pasqyrën reale për të zgjedhur ekipin më të mirë të mundshëm për ndeshjet parakualifikuese në shtator. Ne do të vazhdojmë të hulumtojmë edhe futbolliste tjera qoftë nga jashtë qoftë nga kampionati i Kosovës të cilat do të na bashkoheshin në këtë rrugë.
Megzon Visoka, trajner
Mendoj se kemi një brumë të mirë, por na duhet shumë punë. Për tri ditë kemi punuar shumë për të parë nivelin e secilës lojtare. Na presin ndeshje të forta në një grup të fortë, por ne do të orvatemi që kohën që kemi përpara ta shfrytëzojmë maksimalisht për t’u përgatitur sa më mirë që është e mundur. Por, duhet ta dimë dhe ta kuptojmë se jemi një Kombëtare e re që veç sa ka filluar hapat e saj të parë dhe neve na mbetet që hapin e parë ta bëjmë sa më mirë.
Mirela Jakupi , futbolliste
Jam e gëzuar që mu dha mundësia të jem pjesë e Kombëtares së Kosovës, vendit tim. Këtu me kanë pritur jashtëzakonisht mirë. Për këto tri ditë kemi punuar me zell dhe përkushtim dhe besoj se do të kemi rezultate të mira.
 
Xhenifer Pjetri, futbolliste
Ishte një grumbullim i suksesshëm dhe besoj që edhe në grumbullimet tjera që do t’i kemi do të punojmë edhe më shumë ta njohim njëra tjetrën edhe më shumë. Ne do të punojmë që të kemi një paraqitje sa më të mirë në ndeshjet parakualifikuese.