8 shtator, 2017 – Presidenti i FFK-së, Fadil Vokrri dhe përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Albert Bunjaku, kanë mbajtur sot një konferencë të përbashkët për media. Me këtë rast presidenti Vokrri ka konfirmuar se pas bisedës që kanë pasur me përzgjedhësin Bunjaku kanë ardhur në përfundim që pas dy ndeshjeve të fundit eliminatore për Botërorin “Rusia 2018”, Bunjaku ta lë vendin e përzgjedhësit dhe kësisoj t’i hapet rruga zgjedhjes së përzgjedhësit të ri. Presidenti Vokrri ka theksuar se Bunjaku ka ofruar dorëheqjen, por që ai dhe KE kanë vendosur që ai ta vazhdojë punën edhe në dy ndeshjet e mbetura eliminatore. Vokrri e ka falënderuar përzgjedhësin Bunjaku për punën e bërë për tërë këto vite në kushte të vështira, derisa e ka lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit në të ardhmen në segmente tjera. Në anën tjetër, përzgjedhësi Bunjaku ka falënderuar presidentin Vokrri dhe Komitetin Ekzekutiv për besimin e dhënë për ta drejtuar Kombëtaren e Kosovës në ciklin kualifikues. Ai po ashtu ka thënë se do të jetë plotësisht i përqendruar në dy ndeshjet e fundit kundër Ukrainës dhe Islandës për të nxjerrë rezultate pozitive, kurse më pas do të pushojë për një kohë para se të vendosë për hapat e mëtutjeshëm në karrierë.