21 tetor, 2017 – Pasdite ka vazhduar aktiviteti i  Kampit Edukativ – Socializimi dhe Barazia Gjinore – Përgjegjësia Sociale në Futboll me slloganin “Futboll për qef, Futboll për krejt”. Pjesëmarrësit pasdite dëgjuan me vëmendje ligjëratën e Luljeta Demollit, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore me temën Barazi gjinore dhe socializim, e cila theksoi se shoqëria e Kosovës duhet të kujdeset që djemtë dhe vajzat të jenë të barabartë jo vetëm në shoqëri por edhe në të gjitha aktivitet tjera e me këtë rast edhe në futboll për të qenë një shoqëri e përparuar. Ndërkaq, në ligjëratën e tjetër dr. Agron Rexhepi, nutricionist, foli për materiet ushqyese, nevojat ditore energjetike, vlerësimi i statusit nutricional i sportistëve, ushqimi i sportistëve, rëndësia e ujit në organizëm, shtimi i peshës trupore të sportistët dhe shtesat ushqimore dhe mjetet dopinguese, që te pjesëmarrësit zgjoi kërshëri e interesim ngase ushqimi i shëndetshëm është i domosdoshëm për zhvillimin e një sportisti e me këtë arrihen edhe rezultate kulminante. Në vazhdim janë zhvilluar edhe lojëra futbolli pa karakter garues ndërmjet rajoneve. Nesër kampi vazhdon me shumë aktivitete e lojëra atraktive që lidhen kryesisht me lojën e futbollit si dhe me disa lojëra futbolli.