21 tetor, 2017 – Në arenën sportive “Sopa Sport” sot nisi Kampi Edukativ – Socializimi dhe Barazia Gjinore – Përgjegjësia Sociale në Futboll me sloganin “Futboll për qef, Futboll për krejt”. Kështu për dy ditë me radhë 150 nxënës të moshës 13-15 vjeç të dyja gjinitë nga 7 rajonet bashkë me profesorët e tyre do të zhvillojnë aktivitete të ndryshme në futboll si dhe do të kenë rastin të ndjekin edhe ligjërata për ushqyerjen e shëndetshme, si parakusht për zhvillimin e drejt të sportistëve, si dhe rëndësinë dhe domosdoshmërinë e socializimit dhe barazisë gjinore. Kampin e shpalli të hapur anëtarja e KE të FFK-së njëherësh kryetare e Komisionit të futbollit të femrave znj. Vjollcë Krasniqi, e cila duke i përshëndetur pjesëmarrësit  tha: “ Unë në emër të FFK-së kam kënaqësinë t’iu dëshiroj mirëseardhje në këtë kamp që po organizohet për zhvillimin dhe nxitjen për shoqërizim dhe barazi të të gjitha gjinive dhe jo vetëm kaq por edhe barazi të etniteteve. Fakti që FFK-ja po organizon një kamp të një formati të këtillë me përkrahjen të UEFA-s, tregon se sa kujdes shtëpia e jonë e futbollit i kushton zhvillimit të futbollit të grup-moshave të reja. Unë shpresoj që për dy ditë sa do të zgjasë ky kamp, ju do të keni rastin veç lojërave të futbollit do të shoqërizoheni dhe të njihni më shumë njëri –tjetrin dhe këtë gjë do t’ua përcillni edhe bashkëmoshatarëve tuaj”.
Para dite pjesëmarrësit zhvilluan disa lojëra atraktive që lidhen me lojën e futbollit, ndërkaq pasdite do të ketë ligjërata dhe lojëra të futbollit.