24 tetor, 2017 – Skuadra e Vëllaznimit ka shkëputur një pikë si mysafire, duke barazuar me rezultat 2:2 me Lirinë, në ndeshjen hapëse të javës së 12-të në Vala Superligë që u zhvillua sot në stadiumin “Përparim Thaçi” në Prizren. Liria pati paraqitje më të mirë në pjesën e parë, kur edhe krijoi epërsi prej dy golash nëpërmjet Meriton Korenicës nga penalltia në minutën e 13-të dhe Artur Maganit, në minutën e 29-të. Megjithatë, në pjesën e dytë Vëllaznimi luajti dukshëm më mirë dhe barazoi shifrat me dy gola të shpejtë të shënuar nga Albutrint Morina nga penalltia në minutën e 65-të dhe Semir Zeneli, në minutën e 68-të. Madje, skuadra gjakovare fare lehtë ka mundur të shënojë edhe golin e fitores në minutat e fundit, por Paolo Ivanit ia mohoi golin traversa.