3 nëntor, 2017 – Skuadra e Drenicës ka realizuar fitoren e pestë në këtë edicion në Vala Superligën e Kosovës në futboll, pasi në ndeshjen hapëse të javës së 14-të, që u zhvillua sot në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj e ka mposhtur skuadrën kampione në fuqi, Trepçën’89, me rezultat 1:0. Golin e fitores për kuqezinjtë e Skenderajt e shënoi Genc Hamiti, në minutën e 64-t, pas një veprimi të mirë brenda zonës së mitrovicasve. Për Hamitin ky ishte goli i gjashtë në këtë edicion. Pas kësaj fitoreje Drenica e përforcon pozitën e 9-të, me 18 pikë, derisa Trepça’89 mbetet në pozitën e katërt, me 21 pikë. Nesër zhvillohen tri ndeshje në kuadër të javës së 14-të, ku takohen Liria-Prishtina, Flamurtari-Drita dhe Vllaznia-Vëllaznimi, derisa të dielën luhen dy ndeshjet e fundit, Besa-Feronikeli dhe Gjilani-Llapi.