6 nëntor, 2017 – Kombëtarja U21 ka mbajtur sot stërvitjen e parë në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen kundër Izraelit, që zhvillohet të enjten në orën 19:00 në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë. Në këtë grumbullim përzgjedhësi Prekazi ka ftuar për herë të parë pesë futbollistë si Egzon Fekën,  Lirim Kastratin, Meriton Korenicën, Arbër Hoxhën dhe Drin Hodajn, derisa është rikthyer edhe Rron Broja, i cili mungoi në dy ndeshjet e kaluara për shkak të lëndimit. Në stërvitjen e parë, e cila u mbajt në stadiumin e Flamurtarit, përzgjedhësi Prekazi me ndihmësit e tij, Erdogan Celina e Naser Prapashtica u përkujdesën që të mos i ngarkojnë shumë futbollistët, duke pasur parasysh se shumica kishin udhëtuar dhe në fundjavë kishin zhvilluar ndeshje. Atmosfera në kombëtare si zakonisht është shumë e mirë, derisa lojtarët janë në gjendje të mirë dhe të gatshëm për të dhënë maksimumin si në stërvitje, ashtu edhe në ndeshjen e së enjtes. Stërvitjen e sotme nga afër e ka ndjekur edhe drejtori teknik, Michael Nees. Ndërkohë, në orët e mbrëmjes ekipit iu bashkuan edhe Bersant Celina dhe Ardit Gashi, prandaj në stërvitjen e nesërme përzgjedhësi Prekazi do t’i ketë në dispozicion të gjithë lojtarët.
 
Ardian Ismajli: Stërvitja e parë nuk ishte me ngarkesë të madhe dhe gjithçka kaloi mirë. Tek futbollistët shihet një vullnet i madh për punë dhe të gjithë e kanë pritur më padurim këtë grumbullim. Shpresoj se në dy ditët e ardhshme do të punojmë maksimalisht që në ndeshjen kundër Izraelit të shfaqemi sa më kompakt. Nuk kemi shumë njohuri për kundërshtarin, por besoj se me analizat që do t’i bëjmë së bashku me trajnerët do të arrijmë ta kemi përafërsisht të ditur se më kemi të bëjmë. Shpresoj se edhe kësaj radhe nuk do t’i zhgënjejmë tifozët tanë as me paraqitje e as me rezultat.
 
Florent Hasani: Me prurjet e reja dhe me harmoninë që kemi krijuar në ekip jam shumë optimist se do të arrijmë fitore. Natyrisht se për t’ia arritur këtij qëllimi nuk do të jetë aspak e lehtë, por në ndeshjet e fundit kemi dëshmuar se kemi shpirt luftarak dhe nuk i frikësohemi asnjë kundërshtari. Ftoj tifozët që të jenë në numër sa më të madh në këtë ndeshje, ngase përkrahja e tyre na jepë forcë dhe kurajë për fitore.