7 nëntor, 2017 – Kombëtarja U-21 ka mbajtur sot stërvitjen e dytë në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen kundër Izraelit, që zhvillohet të enjten, në orën 19:00 në Stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë. Edhe stërvitja e sotme është zhvilluar në stadiumin e Flamurtarit, ku kanë qenë të pranishëm të gjithë futbollistët e ftuar nga përzgjedhësi Rafet Prekazi. Gjatë ditës së sotme u punua me intensitet më të shtuar, ku stafi teknik punoi më shumë në aspektin tekniko-taktik. Sipas stafit mjekësor gjendja e futbollistëve është shumë e mirë, derisa angazhimi dhe vullneti për punë i të gjithë ekipit është maksimal. Kjo ka bërë që të ketë optimizëm për paraqitje dhe rezultat pozitiv në sfidën e së enjtes. Nesër, Kombëtarja U21 do ta ketë stërvitjen e fundit para ndeshjes me izraelitët dhe ajo do të mbahet në stadiumin “Adem Jashari”.
Deklaruan pas stërvitjes:
Erdogan Celina, trajner
Tek djelmoshat shihet një vullnet dhe disponim shumë i mirë. Të gjithë me padurim e presin ndeshjen e së enjtes. Sot kemi punuar mjaft mirë megjithëse kushtet në fushë nuk janë aq të mira. Sidoqoftë, atë që e kemi planifikuar e kemi realizuar dhe asnjë prej futbollistëve nuk ankon prej ndonjë lëndimi.
 
 
 
Kamer Krasniqi 
Në ndeshjet e fundit kemi pasur paraqitje të mira, por na mbetet që të luftojmë deri në fund sepse kemi  një rast të mirë për të arritur diçka të jashtëzakonshme në këto kualifikime. Deri tash i kemi 6 pikë, por nuk duhet të kënaqemi me kaq sepse me 6 pikë nuk shkohet në Evropian. Duhet të luftojmë ende shumë dhe t’i fitojmë ndeshjet e radhës. Shpresoj të ketë sa më shumë shikues të enjten që të na ndihmojmë edhe këtë ndeshje.
 
 
 
Bersant Celina
Pres një lojë të mirë kundër Izraelit. Mendoj se kemi gjasa të mëdha për fitore. Luajmë para tifozëve tanë dhe këtë duhet ta shfrytëzojmë për të marrë tri pikë të reja. Kemi një mundësi të mirë për të siguruar kualifikimin në Evropianin e Italisë, por duhet të shkojmë ndeshje pas ndeshje të fokusuar
 
 
 
Drin Hodaj
Ndihem shumë mirë që jam pjesë e Kombëtares U21 dhe për mua ky është privilegj. Edhe pse jam i ri në këtë grup të futbollistëve të gjithë më kanë pritur jashtëzakonisht mirë dhe gjithçka po shkon si duhet. Atmosfera në ekip është shumë e mirë dhe po shpresoj se do të kemi sukses.