10 nëntor, 2017 – Kombëtarja U21 ka mbajtur sot seancën stërvitore në stadiumin e Flamurtarit, një ditë pas humbjes kundër Izraelit, me rezultat 0:4. Lojtarët që ishin titullar në ndeshjen e mbrëmshme u stërvitën të diferencuar me disa vrapime të lehta të kombinuara me pasime me top, derisa pjesa tjetër e futbollistëve u stërvit normalisht dhe zhvilloi edhe një lojë të ndarë në dy tabore. Tek futbollistët vërehet se humbja e mbrëmshme ka qenë e dhimbshme, por përzjgedhësi Prekazi është përkujdesur t’i japë këshillat e nevojshme që të mos ketë vend për dëshpërim, sidomos duke pasur parasysh se loja të cilën e paraqitën kundër Izraelit nuk e paraqet epilogun real të ndeshjes dhe tani duhet të shikohet drejt të ardhmes. Stafi i trajnerëve në mbrëmje së bashku me futbollistët do ta bëjnë edhe analizën e ndeshjes së mbrëmje dhe të gjithë janë optimist se në ndeshjen e radhës kundër Azerbejaxhanit do t’i evitojnë gabimet e shfaqura në sfidën me Izraelin, në mënyrë që të arrijnë deri te rezultati pozitiv.
Deklaruan pas stërvitjes
Dren Feka: Humbja e mbrëmshme ka qenë vërtet e rëndë sepse në fillim i patëm disa raste të pastra shënimi dhe sikur të shënonim gol, atëherë loja do të kishte rrjedhë krejt tjetër. Mendoj se në përgjithësi kemi pasur paraqitje të mirë, por fati nuk ishte me ne. Tash do ta analizojmë lojën me Izraelin dhe do të përgatitemi në këto ditët e ardhshme për sfidën me Azerbejxhanin. Besoj se nëse luajmë si në minutat e para dhe shënojmë gol, atëherë do ta fitojmë ndeshjen. Unë personalisht jam i lumtur që trajneri ma ka dhanë rastin qysh në grumbullimin e parë me Kombëtaren të luaj prej fillimit dhe pa dyshim se është ndjenjë shumë e ve]antë të luash për vendin tënd.
 
Besfort Kolgeci: Nuk ka qenë e lehtë për ne ta pranojmë humbjen duke pasur parasysh se e nisëm shumë mirë ndeshjen dhe kundërshtari nuk ishte në nivel aq të lartë sa për ta fituar ndeshjen me atë rezultat. Sidoqoftë, ne ju kemi kthyer punës dhe tash ndeshja me Izraelin i takon të kaluarës. Do të mundohemi të nxjerrim mësim nga kjo ndeshje, në mënyrë që në sfidën me Azerbejxhanin të paraqitemi sa më mirë dhe të dëshmojmë se humbja e mbrëmshme ishte vetëm një ditë e pafat e jona.