13 nëntor, 2017 – Kombëtarja U21 e Kosovës ka zhvilluar sonte në mbrëmje stërvitjen e fundit para ndeshjes kundër Azerbejxhanit, në kuadër të Grupit 5 për kualifikimet e Evropianit 2019. Stërvitja u zhvillua në stadiumin “Dalga Arena” në Baku,  aty ku nesër do të zhvillohet ndeshja me fillim në orën 18:00 sipas kohës lokale, përkatësisht në orën 15:00 sipas kohës në Kosovë. Atmosfera në ekip është shumë e mirë, derisa ekspedita e Kombëtares U21 është akomoduar në “Boulevard hotel” në Baku, ku kushtet janë jashtëzakonisht të mira. Të gjithë futbollistët janë zotuar se do të japin maksimumin dhe janë optimistë se në ndeshjen e nesërme nuk do të mungojë as rezultati pozitiv. Stërvitjen e sotme nga afër e ndoqën anëtarët e KE të FFK-së, Bakir Burri e Xhelal Broja dhe drejtori teknik, Michael Nees. Pas stërvitjes ja se çfarë deklaruan disa prej futbollistëve:
Ardian Ismajli:  Tashmë e kemi harruar humbjen nga Izraeli dhe atmosfera në ekip është e mirë. Duam që t’i gëzojmë tifozët tanë me fitore pasi këtë ua kemi borxh për mbështetjen e madhe që po na e japin në ndeshjet në shtëpi. Natyrisht se për t’ia arritur këtij qëllimi nuk do ta kemi të lehtë, por besoj se me një lojë më të kujdesshme do t’ia dalim mbanë.
 
 
 
Rron Broja: Na pret një ndeshje e vështirë. Vijmë nga humbja demoralizuese kundër Izraelit, por tashmë të gjithë e kemi një motiv edhe më të madh për këtë duel. Azerbejxhani nuk është skuadër për t’u nënçmuar edhe pse ndodhet në pozitën e fundit në grup. Neve na mbetet të tregojmë se kemi cilësi dhe të mund të marrim rezultat pozitiv kudo që luajmë dhe ndaj çdo kundërshtari.
 
 
Florian Loshaj: I kemi disa gjëra që duhet t’i përmirësojmë nga ndeshja e kaluar. Angazhimi ka qenë shumë i mirë edhe në sfidën me Izraelin, por pres që të jemi më mirë në mbrojtje. Pra, do të luajmë më defanzivë, por duke i përdorur edhe ato aksionet që i kemi pasur në fillim të ndeshjes kundër Izraelit dhe t’i shfrytëzojmë më mirë rastet që na jepen. Nëse kalojmë në epërsi atëherë më pas gjithçka do të jetë më e lehtë në menaxhimin e lojës. Me rëndësi është që të jenë 11 luan në fushë dhe secili të luftojë për secilin. Nëse njëri e bën një gabim tjetri t’ia përmirësojë.