13 nëntor, 2017 – Kombëtarja e Kosovës ka shënuar fitore spektakulare në ndeshjen miqësore kundër Letonisë, që u zhvillua në Stadiumin Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë, me rezultat 4:3. Për Kosovën kjo është fitorja e dytë në ndeshje miqësore që pas pranimit në UEFA e FIFA, por e para në shtëpi. Fitoren e parë Kosova e kishte realizuar kundër Ishujve Faroe në Gjermani, 2:0. Mysafirët ishin tri herë në epërsi gjatë kësaj ndeshje, por djelmoshat tanë arritën të rikthehen dhe në fund edhe ta përmbysin rezultatin. Letonia kaloi në epërsi në minutën e 11-të, me golin e realizur nga Glebs Kluskins, por vetëm dy minuta më vonë baraspeshën në rezultat e riktheu Amir Rrahmani me golin e shënuar me kokë. Megjithatë, letonët e rikthyen me golin e Valerijs Sabala, në minutën e 30-të. Por, edhe pas këtij goli futbollistët tanë reaguan mirë, duke vazhduar me presion drejt portës kundërshtare, gjë e cila dha rezultat në minutën e 45-të, kur Vedat Muriqi shënoi me gjuajtje me kokë pas harkimit të Besar Halimi nga këndorja. Edhe pjesa e dytë ishte mjaft dinamike, ku Kosova vazhdoi të këmbëngulte në sulm, por sërish mysafirët ishin ata që e gjetën golin. Ishte minuta e 59-të, kur rrëshqitjen e portierit Samir Ujkani e shfrytëzoi Kluskins për të realizuar golin e tij të dytë në këtë ndeshje dhe për ta rikthyer epërsinë e skuadrës së tij në 2:3. Megjithatë, futbollistët tanë nuk u dorëzuan dhe të përkrahur maksimalisht nga Dardanët arritën që fillimisht në minutën e 86-të të barazojnë shifrat me golin e shënuar nga Elbasan Rashani dhe më pas në minutat shtesë realizoi Besar Halimi me gjuajtje të fortë nga afërsia pas topit të rikthyer nga shtylla pas gjuajtjes së Atdhe Nuhiut. Ky gol vulosi fitoren e Kosovës dhe bëri që tifozët në stadiumin “Adem Jashari” të shpërthejnë në festë.
Deklaruan pas ndeshjes
Muharrem Sahiti: Urime të gjithëve kjo fitore. Ishte një ndeshje e vështirë. Patëm momente të këqija. Por megjithatë arritëm fitore. E patë gëzimin e këtyre futbollistëve. Kemi ende disa lojtar që ende nuk po e gjejnë veten. Por gjithsesi fituam edhe pse ende spo arrijmë të shënojmë të parët. Kjo është një punë në vazhdim. Unë pata fatin që të jem këtu kur u arritën këtë fitore. Këtë fitore ia dedikoj përzgjedhësit Albert  Bunjaku .
Valon Berisha: Kjo është një fitore e të gjithëve, për ju, për popullin. Të gjithë e kemi kërkuar këtë fitore dhe jam i lumtur që e arritëm. Edhe unë ja dedikoj fitoren trajnerit Albert Bunjaku, që ka bërë shumë për neve.