18 nëntor, 2017 – Sot janë zhvilluar tri ndeshjet e fundit të javës së 15-të në Vala Superligën e Kosovës në futboll. Skuadra kryesuese në renditje, Llapi, nuk ka mundur të arkëtojë më shumë se një pikë para tifozëve të vet, duke barazuar me Feronikelin, me rezultat 1:1. Të dy golat u shënuan në fazën e hershme të ndeshjes. Fillimisht Llapi kaloi në epërsi në minutën e 6-të, me golin e realizuar nga Egzon Sinani me gjuajtje me kokë, derisa shifrat i barazoi Lulzim Doshlaku, në minutën e 11-të. Ndërkohë, Drita ka shënuar fitore para tifozëve të vet në një ndeshje dramatike kundër Lirisë, me rezultat 4:3.  Drita kaloi në epërsi me golin e Bujar Shabanit në minutën e 11-të. Epërsinë në 2:0 e shtoi Xhevdet Shabani, në minutën e 43-të. Liria arriti ta ngushtojë epërsinë e gjilanasve në minutat shtesë së pjesës së parë, me golin e Jetmir Sefës. Megjithatë, Drita e riktheu epërsinë e dy golave vetëm pas tre minutash në pjesën e dytë, me golin e shënuar nga Fidan Gërbeshi. Kur dukej se vendasit po shkonin drejt një fitoreje të lehtë, prizrenasit arritën që me dy gola të shpejtë të Artur Maganit (80’ e 85’) të barazojnë shifrat në 3:3. Megjithatë, Drita nuk u dorëzua dhe në minutën e tretë shtesë arriti të gjejë golin e fitores kur Elton Basri shënoi autogol. Fitore në shtëpi ka shënuar edhe skuadra kampione në fuqi, Trepça’89 që e ka mposhtur skuadrën e fundit në renditje, Vllazninë, me rezultat 2:0. Golat për Trepçën’89 i shënuan Oto John, në minutën e 60-të dhe Florent Hasani, në minutën e 69-të, që ishte një nga golat më atraktiv të këtij edicioni.