20 nëntor,  2017 – Sot në Banjën e Pejës “ ONIX”, u bë hapja e kursit për trajnerë të licencës  C të UEFA-s. Në hapje të pranishëm ishin presidenti i FFK-së, z. Fadil Vokrri, sekretari i përgjithshëm z. Eroll Salihu, përfaqësuesi i ambasadës gjermane drejtori i Departamentit të Kulturës z. Marten Menger, delegatët e UEFA-s Igor Jankoviç e Piet Hubers, nga DFB-ja, instruktor i FIFA-s z. Horst  Krieste, drejtori teknik dhe i kursit të FFK-së Micahel Nees si dhe instruktori nga DFB-ja z.Wolfang Grunert dhe znj. Sanije Krasniqi menaxhere e Programit Grassroots. Me rastin e hapjes së kursit duke i përshëndetur të pranishmit, presidenti i FFK-së z. Fadil Vokrri tha: “ Është një moment i veçantë për FFK-në, që po fillojmë me një kurs të tillë. Duhet të falënderojmë Federatën gjermane që është më e madhja në botë, e cila na ka përkrah në vazhdimësi sidomos gjatë rrugëtimit tonë dhe në pranimin tonë në UEFA dhe FIFA. Unë dua të falënderoj edhe vëllezërit Shoshi që na kanë ndihmuar vazhdimisht dhe sot janë mikpritës të këtij kursi. Unë i uroj edhe vijuesit e këtij kursi dhe FFK-ja do të vazhdojë fuqishëm të punojë në edukimin dhe trajnimin e trajnerëve dhe kuadrove tjera”.
Ndërkaq, në fjalën përshëndetëse të tij për të pranishmit, të cilën e nisi në gjuhën shqipe përfaqësuesi i ambasadës gjermane z. Marten Menger, tha se “jam i lumtur që jam këtu dhe me vjen mirë që federata dhe shteti gjerman e kanë ndihmuar FFK-në në të gjitha fushat dhe besoj se është e mirë që futbolli i Kosovës tashmë është pjesë e mekanizmave ndërkombëtar”. Një fjalë përshëndetëse e ka mbajtur edhe delegati i UEFA-s z. Igor Jankoviç i cili theksoi se Kosova ka bërë përparime dhe është e barabartë me të tjerët. Ndërkaq, z. Horst  Krieste, instruktor i FIFA-s dhe përfaqësues i Federatës gjermane, u shpreh se është shumë i lumtur që është në Kosovë dhe para se të vija këtu, nga DFB me thanë përshëndete shumë Kosovën. Me vjen mirë që ju po nisni një kurs të parin nën përkujdesjen e UEFA-s. Misioni i këtij kursi është zhvillimi i lojës së futbollit dhe stabilizimi i saj. Siç thotë Mandela edukimi ndryshon gjërat në botë. Ju mirë që po filloni nga licenca C sepse pa e pasur këtë nuk mund të shkoni për B si dhe nuk mund të shkoni për A pa e pasur B. Ju uroj që të shkoni sa më lartë. Në fjalën e tij duke i përshëndetur një për një të pranishmit drejtor teknik dhe i kursit i FFK-së z. Michael Nees, tha se FFK-ja ka organizuar edhe më herët kurse të tilla, por ky është i një rëndësie të veçantë sepse po hyn në sistemin e edukimit të UEFA-s dhe mendoj se ne do të vazhdojmë me edukimin e kuadrove edhe në të ardhmen. Në këtë kurs, i cili do të zgjasë dy javë, janë përfshirë veç meshkujve edhe femra që në fund do të pajisen me licencën C.