Në Federatën e Futbollit të Kosovës, pas pranimit në UEFA dhe FIFA, janë hapur shumë mundësi, jo vetëm në zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare, në edukimin dhe profesionalizimin e trajnerëve, gjyqtarëve, administratorëve, por i është dhënë mundësia e organizimit të konferencave për mjekësinë sportive. Më herët në prill të këtij viti në Barcelonë, mjeku i ekipit të Kombëtares A të Kosovës, dr. Murat Berisha ka marrë pjesë në konferencën ku është debatuar për urgjencat në fushën e futbollit, ndaj duke u bazuar në këtë përvojë me mbështetjen e FFK-së dhe UEFA-s më 23 nëntor në hotel “International Prishtina” do të organizohet Konferenca e parë mjekësore dhe anti-doping. Në këtë konferencë që hapja e saj bëhet në orën 9.00 dhe fillon punimet do të ligjërojnë mjekët eminent ndërkombëtar të fushës sportive si dhe ligjërues vendor. Në këtë konferencë pjesëmarrës do të jenë gjitha ekipet mjekësore të Kombëtareve, mjekët e klubeve të Vala superligës dhe Ligës së Parë të Kosovës.