25 nëntor, 2017 –  Është mbajtur edhe stërvitja e fundit para ndeshjes miqësore kundër Malit të Zi, e Kombëtares A të Kosovës – femrat, në stadiumin e KF ”Flamurtari” në Prishtinë. Me përkushtim dhe zell kanë punuar shtabi teknik bashkë me futbollistet. Po mbretëron një atmosferë jashtëzakonisht e mirë si dhe një vullnet dhe dëshirë e madhe për fitore para shikuesve në Kosovë. Pas stërvitjes ja se çka deklaruan përzgjedhësja dhe disa nga futbollistet.
 
Afërditë Fazlija, përzgjedhëse
Kemi punuar mjaft për aq sa na ka premtuar koha. Meqenëse kemi shumë prurje të reja u përpoqëm të bëjmë kombinimet e duhura. Punuam në disa skema të lojës. Gjuajtjet e lira dhe gjuajtjet nga këndi. Analizuam futbollistet një për një dhe secilin pozicion dhe tashmë e kemi në mendje përbërjen e parë. Duke parë entuziazmin brenda grupit mendoj se do të kemi rezultat pozitiv, ndonëse në futboll asgjë nuk dihet deri në fund dhe kjo është magjia e futbollit.
Valentina Limani, futbollistet
Për dy ditë rresht kemi punuar me përkushtim  por edhe kemi rritur bashkëveprimin dhe komunikimin mes vete dhe kjo na bën të shpresojmë se kundër Malit të Zi do të arrijmë fitore.
 
 
Ilirjana Vllasaliu, futbolliste
Ndjehem mirë që jam pjesë e Kombëtares A. Kemi stërvitë mirë dhe me angazhim maksimal. Me angazhim maksimale unë shumë besojë që në ndeshjen e nesërme do të arrijmë sukses.
 
 
Valentinë Trenava, futbolliste
Kemi punuar shumë bashkë me shtabin teknik dhe nëse arrijmë të i zbatojmë detyrat nga përzgjedhësja unë shumë besojë se nga ballafaqimi me Malin e Zi do të shënojmë fitore dhe do të i gëzojmë adhuruesit.
 
Besjana Reçica, futbolliste
Unë dua së pari të falënderoj, për besimin që me ka dhënë përzgjedhësja Afërditë Fazlija që të luajë për vendim tim. Me kanë pritë mirë dhe kemi punuar mjaft mirë dhe unë jam e prirur gjithmonë të besoj në fitore, ndaj edhe për nesër mendoj njëjtë.
 
Kaltrinë Biçkaj, futbolliste
Jemi përgatitur mjaft mirë, ndonëse koha ka qenë e shkurtër, por kemi pasur një vullnet dhe angazhim  si dhe kemi një dëshirë të madhe për fitore dhe kjo vërehet tek secila prej nesh.