27 nëntor, 2017 – Skuadra e Prishtinës ka shënuar fitore në duel me Gjilanin, me rezultat 2:1, në ndeshjen përmbyllëse të javës së 17-të në Vala Superligë që u zhvillua sot në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas. Për skuadrën e drejtuar nga Mirel Josa golat i shënuan Guthier Mankenda, në minutën e 26-të dhe Ahmet Januzi, në minutën e 62-të. Ndërkaq, golin e barazimit të përkohshëm për skuadrën e Arbnor Morinës e realizoi Gëzim Rusi, në minutën e 45-të. Pas kësaj fitoreje Prishtina rikthehet në pozitën e dytë, me vetëm dy pikë më pak se sa lideri i renditjes, Llapi, derisa Gjilani mbetet në pozitën e shtatë, me 25 pikë.