3 dhjetor, 2017 – Sot janë zhvilluar tri ndeshjet e fundit të javës së 18-të në Vala Superligën e Kosovës, të cilat njëherësh ishin të fundit për stinorin vjeshtor. Dy ndeshjet më interesante të kësaj jave nuk dhanë as fitues dhe as gola. Në derbin e qytetit, Gjilani dhe Drita, në një fushë të vështirë për lojë, u ndanë në paqe, 0:0. Si zakonisht edhe kësaj radhe tribunat e Stadiumit të Qytetit në Gjilan ishin të mbushura me tifozët e të dyja skuadrave, të cilët krijuan një atmosferë madhështore. Të dyja skuadrat patën mundësi shënimi, por nuk ishin efikase në sulm, derisa në minutën e 65-të Dritës ia mohoi golin shtylla pas gjuajtjes së Xhevdet Shabanit. Pa gola u mbyll edhe sfida në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë ndërmjet Llapit dhe Trepçës’89, ku nuk munguan rastet për gol në të dyja anët. Ndërkohë, Vëllaznimi ka shënuar fitore si mysafire kundër Besës në Pejë, me rezultat 2:1, në ndeshjen që u zhvillua në një terren me borë. Të dy golat për Vëllaznimin i shënoi Albutrint Morina, në minutat 47-të dhe 60-të, derisa golin e vetëm për pejanët e shënoi Rron Krasniqi, në minutën e 82-të.