14 dhjetor, 2017 – Sikur në çdo segment tjetër që Federata e Futbollit e Kosovës po punon në përsosjen dhe ngritjen profesionale të organeve, administratës dhe segmenteve tjerë me rrëndësi, edhe Komisioni i gjyqtarëve po punon dhe po angazhohet për edukimin dhe ngritjen profesionale të gjyqtarëve me theks të veçantë në kërkim të rekrutimit të gjyqtarëve të rinj, femra dhe meshkuj. Së këndejmi Komisioni si objektiv e ka vënë rritjen e numrit të gjyqtarëve. Numri aktual i gjyqtarëve të futbollit në Kosovë (nga gjyqtarët fillestarë deri tek gjyqtarët elitë) është rreth 260. Prandaj synimi i kryetarit të Komisionit, Përparim Hasani është që ky numër të shtohet për 20 për qind në një plan afatshkurtër.
Në këtë drejtim Komisioni ka hapur një aplikim për paraqitje që nga gushti deri më 1 shtator 2017, ku ka pasur një interesim të mirë. Gjithsej kanë aplikuar 130 gjyqtarë në gjithë Kosovën, ndërsa trajnimet kanë nisur nëpër rajone dhe i kanë ndjekur 108 gjyqtarë. Prej muajt shtator deri në dhjetor 108 gjyqtarët kanë ndjekur ligjërata dhe ushtrime praktike në rajonet e tyre. Ndërsa, prej 14 deri më 17 dhjetor, Komisioni i Gjyqtarëve i kryesuar nga kryetari i Gjyqtarëve Përparim Hasani, Ismet Shurdhani – anëtar i Komisionit, Enver Tahiraj – trajner i fitnesit, Hajriz Hajdari – vëzhgues i gjyqtarëve dhe Visar Kastrati – menaxher i gjyqtarëve, me kujdes dhe vëmendje do të përcjell testimet, të cilat do t’u bëhen këtyre gjyqtarëve. Testimet do të jenë praktike dhe teorike dhe gjyqtarët që do t’i kalojnë me sukses do të pajisen me kategorinë fillestare të referimit. Sot janë mbajtur testimet në Pejë, Gjakovë dhe Mitrovicë, nesër do të mbahen në Gjilan, të shtunën në Ferizaj dhe do të përfundojnë të dielën në Prishtinë. Sipas kryetarit të Komisionit të  Gjyqtarëve, Përparim Hasani, Komisioni nuk do të ndalet por do të punojë edhe më shumë për të arritur suksese dhe që numri gjyqtarëve të shtohet edhe në arenën ndërkombëtare në UEFA dhe FIFA.