17 shkurt, 2018 – Skuadra e Feniksit është fituese e Kupës së Kosovës në futsall. Në ndeshjen finale, e cila u zhvillua sonte në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, në praninë e një numri të madh të shikuesve, skuadra nga Drenasi u tregua më e mirë se skuadra e Besës nga Peja, duke e mposhtur me rezultat bindës, 6:0. Pjesa e parë e ndeshjes ishte e baraspeshuar, duke u mbyllur me epërsinë e një goli për drenicasit, të cilën e shënoi Shqipron Brahimi, në minutën e 11-të. Rivaliteti i madh vazhdoi edhe në pjesën e dytë deri në minutën e 30-të, kur Mentor Mejzini shtoi epërsinë në 2:0, kurse pas minutës së 35-të gjithçka kaloi në shenjë të drenicasve, të cilët realizuan edhe katër gola tjetër nëpërmjet Dardan Topillës (35’), Ferid Agushit (36’, 39’) dhe Dragan Petroviq (39’). Këtë ndeshje nga afër e ka shikuar edhe anëtari i Besës, Adnan Hyseni, i cili është kthyer nga Gjermania pas shërimit nga sëmundja. Në fund, medaljet për futbollistët e Besës i ndanë Agim Avdyli, Sahit Kelmendi e Skender Sadiku, derisa medaljet për skuadrën fituese i ndanë anëtarja e KE të FFK-së, Vjollcë Krasniqi, sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu dhe kryetari i Komisionit të futsallit, Rasim Gimolli. Ndërkohë, kupën kapitenit të Feniksit, Mentor Mejzini ia dorëzoi nënkryetari i FFK-së, Agim Ademi. Me medalje u stolisën edhe vëzhguesi dhe gjyqtarët e ndeshjes, të cilat i ndau kryetari i Komisionit të Gjyqtarëve, Përparim Hasani.
Deklaruan pas ndeshjes
Ani Mullai, trajner i Feniksit: “Kemi pritur ndeshje të fortë. Rezultati është i thellë, por dallimi në cilësi ndërmjet skuadrave realisht nuk është kaq i madh, sepse edhe Besa ka skuadër mjaft të mirë, por kështu e ka futsalli. Ne kemi punuar shumë për këtë ndeshje dhe në fund iu gëzuam trofeut të Kupës”.
Genc Vokshi, trajner i Besës: “Ishim përgatitur mirë për këtë ndeshje dhe kemi besuar për rezultat më të mirë. Për fat të keq na u përsëritën gabimet e njëjta me ato të ndeshjeve të kaluara. Feniksit i urojmë fitoren, ndërsa ne duhet të punojmë më tepër dhe të përmirësohemi”.