2 mars, 2018 – Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, z. Fadil Vokrri, ka prezantuar sot në një konferencë për media përzgjedhësin e ri të Kombëtares së Kosovës, zviceranin Bernard Challandes. Me këtë rast është bërë edhe nënshkrimi i kontratës dyvjeçare, derisa debutimin e tij në Kombëtaren e Kosovës, Challandes do ta ketë gjatë këtij muaji, më saktësisht në miqësoret kundër Madagaskarit (më 24 mars) dhe Burkina Fasos (më 27 mars) që do të zhvillohen në Francë.
Presidenti Vokrri ka thënë se ndihet i lumtur që sot e prezanton z.Bernard Challandes në pozitën e përzgjedhësit, një trajner me një eksperiencë të madhe në klubet zvicerane, por edhe si përzgjedhës i Armenisë. Vokrri ka thënë se deri te marrëveshja me z. Challandes kanë ardhur pasi janë përputhur kërkesa e tij me mundësitë e FFK-së.
“Kemi qenë në bisedime edhe me trajnerë të tjerë, por arsyeja pse ne kemi zgjedhur z. Bernard Challandes është duke pasur parasysh edhe faktin se ka shumë lojtarë tanë që luajnë në kampionatin zviceran dhe ka mundësi dhe i njeh sepse ka punuar edhe me kategori të reja. Për neve në situatën aktuale mendoj se është një zgjidhje e qëlluar, mirëpo futbolli i ka befasitë e veta dhe kjo mbetet të shihet në fushën e gjelbër, por nuk dyshoj se ai do të bëjë punën më të mirë të mundshme. Siç e thashë kemi pasur bisedime edhe me dy-tre trajnerë tjer të njohur, por diku nuk kishin ekperiencën e duhur, e diku nuk përputheshin në aspektin ekonomik. Unë i dëshiroj mirëseardhje në kombëtaren tonë z. Challandes në emrin tim dhe të KE të FFK-së“, ka theksuar Vokrri.
Ndërkohë, përzgjedhësi i ri, Bernard Challandes paraqitjen para gazetarëve e ka nisur në shqip me fjalën “Faleminderit” për mundësinë që i është dhënë për ta drejtuar Kombëtaren e Kosovës. “Për mua është një kënaqësi shumë e madhe që të punoj për Federatën e Futbollit e Kosovës. E njoh pasionin që e kanë njerëzit këtu për futbollin dhe për mua është shumë domethënëse që e marrë drejtimin e kësaj kombëtareje. Kosova është një shtet i ri që ka 10 vjet pavarësi, derisa ekipi është edhe më i ri. I kam shikuar të gjitha ndeshjet që i ka luajtur Kosova dhe deri tash është bërë një punë e madhe. Tash duhet të fillojmë të punojmë edhe më shumë, të marrim eksperiencë por edhe të bëjmë progres. Ekipi është i formuar, por dua që të krijojmë një familje. Është shumë më e rëndësishme që ekipi të jetë më i lidhur. Kemi shumë lojtarë në Zvicër dhe vendet e tjera. Do ta formojmë një ekip shumë të mirë dhe kjo është detyra ime. Lojtarët individual nuk mjaftojnë për t’u kualifikuar. Nuk po flas këtu për kualifikimin, por po flas për me formu një ekip dhe të ecim përpara. Nëqoftë se vazhdojmë kështu e kemi mundësinë për të fituar dhe për t’u kualifikuar. Jam duke i përcjellur të gjitha gjeneratat dhe do të bashkëpunojë me trajnerët e secilës grupmoshë, mirëpo primare për mua është Kombëtarja A. E njoh mentalitetin e futbollistëve tuaj, pasi kam punuar me shumë futbollistë nga Kosova që luajnë në Zvicër. Ata kanë mentalitet fitues dhe për këtë arsye kam ardhur ta drejtoj këtë ekip. Dua ta formoj një ekip fitues dhe të ecim së bashku përpara. Futbollistët e Kosovës janë driblues të mirë, kanë teknik të mirë, por janë edhe vrapues. Jam i entuziasmuar që pas pak ditësh do t’ia fillojë punës me dy ndeshjet miqësore kundër Madagaskarit dhe Burkina Fasos”, është shprehur Challandes.
Përzgjedhësi Bernard Challandes nesër do të ketë një takim edhe me stafin teknik dhe stafin mjekësor të Kombëtares dhe më pas do të ndahen detyrat në mënyrë specifike.