20 mars, 2018 – Kombëtarja U21 ka vazhduar përgatitjet për ndeshjen kundër Azerbajxhanit, e cila do të luhet, të enjten, në orën 19:00, në Stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë. Gjatë pasdites së sotme Shpresat e Kosovës kanë zhvilluar stërvitje në stadiumin e 2 Korrikut në kryeqytet, ku është punuar në aspektin taktik, si dhe në skema të ndryshme në sulm, por edhe në mbrojtje. Në stërvitjen e sotme ekipi ka qenë i kompletuar, derisa atmosfera është e mrekullueshme. Sipas stafit mjekësor të Kombëtares U21, dr. Mehmet Maxhunit dhe fizioterapeutit, Feim Gashi, tash për tash gjendja e futbollistëve është shumë e mirë dhe që të gjithë janë të gatshëm për ndeshjen e së enjtes. Stërvitjen e fundit para ndeshjes me Azerbajxhanin, Kombëtarja U21 do ta zhvillojë, të mërkurën, në Stadiumin Olimpik “Adem Jashari”, në orën 18:30.
Deklaruan pas stërvitjes
Ardian Ismajli: Sot në stërvitje kemi qenë të kompletuar. I kemi disa prurje të reja në grup dhe ata janë përshtatur mirë. Përgatitjet po shkojnë mjaft mirë. I kemi dy ndeshje shumë të rëndësishme dhe besoj se me angazhimin maksimal të gjithë lojtarëve do të arrijmë të nxjerrim rezultate pozitive. Ftoj tifozët që të vijnë të na përkrahin në numër sa më të madh dhe besoj se nuk do të zhgënjehen. Ne do të mundohemi ta kryejmë punën tonë siç është më së miri. Edhe tifozët shpresoj ta kryejnë punën e tyre ashtu siç dinë, prandaj besoj se edhe suksesi nuk do të mungojë.
 
Florent Hasani: Jam në formë të mirë. Jam përshtatur mirë në klubin tim të ri në Hungari dhe kam luajtur në të gjitha ndeshjet.  Pres rezultate pozitive gjatë dy ndeshjeve të radhës me Kombëtaren, pasi ende kemi gjasa për kualifikim. Besoj në këtë grup të futbollistëve dhe me punën që po e bëjmë do të arrijmë rezultate pozitive kundër Azerbajxhanit dhe Gjermanisë.
 
 
Dren Feka: Tashmë jemi familjarizuar si grup dhe po shkojmë shumë mirë në çdo grumbullim. I presim me padurim këto dy ndeshje kundër Azerbajxhanit dhe Gjermanisë. Do të japim maksimumin dhe nëse kemi edhe pak fat besoj se do të fitojmë. Trajneri po diskuton shumë me mua dhe kjo po më jep edhe më shumë përgjegjësi dhe emocion për të dhënë maksimumin. Kundër Gjermanisë do të jetë shumë e vështirë, sepse kemi të bëjmë me një ekip shumë të fortë, pasi me një pjesë të tyre kam luajtur dhe i njoh mirë cilësitë e tyre. Sa i përket Azerbajxhanit mendoj se kemi gjasa më të mëdha, por nuk duhet ta nënçmojmë.
 
Meriton Korenica: Jam i lumtur që jam pjesë e Kombëtares U21. Këtu përgjegjësia është dukshëm më e madhe se sa në klub, pasi e përfaqësojmë vendin dhe besoj se secili prej nesh që jemi pjesë e këtij grupi do ta japim 200 përqindshin tonë në dy ndeshjet e radhës.
 
 
 
Kushtrim Shabani: Jemi duke u përgatitur maksimalisht për dy sfidat që na presin. Atmosfera në grup është shumë e mirë dhe tashmë e njohim shumë mirë njëri-tjetrin. Tash për tash jemi të fokusuar vetëm te sfida kundër Azerbajxhanit dhe shpresoj se me angazhim maksimal dhe me përkrahjen e tifozëve do të korrim sukses. Më pas do të mendojmë për sfidën me Gjermaninë, e cila natyrisht është e një niveli shumë më të lartë.
 
 
 

[su_youtube url=”https://m.youtube.com/watch?v=wXu1e6hktqE&feature=youtu.be” width=”360″ height=”260″]