21 mars, 2018 – Kombëtarja e Kosovës, ka mbajtur sot në Francë, nën udhëheqjen e selektorit Bernard Challandes, dy stërvitjet e para në prag të ndeshjeve miqësore me Madagaskarin dhe Burkina Fason.
Ekipi ka shfaqur një formë shumë të mirë gjatë stërvitjes dhe një frymë bashkëpunimi e optimizimi.
Kapiteni Samir Ujkani ka deklaruar sot se përvoja e deritashme gjatë kualifikimeve e ka rritur dhe e ka pjekur ekipin dhe se kjo është vënë re edhe sot gjatë stërvitjeve. Lojtarët sot me lehtësi kanë ndjekur udhëzimet e trajnerit dhe kanë aplikuar teknikat e kërkuara nga ai dhe kjo, thotë Ujkani, vjen si rezultat i njohjes së lojtarëve me njëri tjetrin dhe përvojës tashmë të përbashkët si pjesë e Kombëtares së Kosovës. Ujkani thotë se, pavarësisht faktit se do të luajnë ndeshje miqësore, do të jenë shumë të kujdesshëm dhe të vëmendshëm gjatë ndeshjes. “Ekipet kundër të cilave do të luajmë i respektojmë. Burkina Faso nuk është aspak ekip i lehtë. Por, me përvojën e deritashme jam optimist se do të luajmë një lojë të mirë dhe ekipi do të shfaqë fuqinëe tij. Duhet pasur parasysh që fuqia e ekipit nuk janë talentët si individë të vecantë. Fuqia e ekipit vjen në shprehje atëherë kur këta talentet individuale të secilit koordinohen në një mënyrë të atillë që të funksionojnë si një trup i vetëm. Kam besim se ekipi ka arritur një nivel të lartë të koordinimit”.
Edon Zhegrova, lojtari që së fundmi i është bashkuar Kombëtares së Kosovës, thotë se ka gjetur një ekip që është i koordinuar mirë dhe se pret që në dy ndeshjet e radhës do të luajnë një lojë të mirë. Ai deklaron se nuk ka pasur asnjë mëdyshje për vendimin për t’iu bashkuar Kosovës dhe se vendimi për këtë ka qenë tërësisht i pandikuar, bile as prej prindërve.  “E kam thënë menjëherë që Kosova është ekipi pjesë e të cilit do të jem”.
“Nuk është se e njoh shumë mirë lojën e dy ekipeve kundër të cilave do të luajmë, por duhet të jemi shumë të vëmendshëm gjatë gjithë ndeshjes. Jam optimist se do të luajmë një lojë shumë të mirë”.