24 mars, 2018 – Kombëtarja e Kosovës ka shënuar fitore në miqësoren kundër Madagaskarit, që u zhvillua sonte në stadiumin “Stade Municipal Jean Rolland” në Francoville, 20 km afër Parisit, me rezultat 1:0. Golin e fitores për “Dardanët” e shënoi  Edon Zhegrova, duke bërë një debutim ëndrrash në fanellën e Kombëtares së Kosovës. Talenti i Genkut shënoi në minutën e 48-të me një gjuajtje të fortë nga 18 metra.  Në pjesën e parë ishte skuadra e Madagaskarit që u tregua më e rrezikshme dhe madje ishte shumë afër golit, por fati ishte me Samir Ujkanin, pasi nuk realizuan nga penalltia, në minutën e 32-të. Në pjesën e dytë Kosova e nisi furishëm dhe qysh pas tre minutash kaloi në epërsi me golin e Zhegrovës, pas një depërtimi në krahun e majtë.  Në këtë ndeshje debutoi edhe Idriz Voca, i cili hyri në lojë në vend të Zhegrovës në 15 minutat e fundit. Ndeshjen e ardhshme miqësore Kosova do ta zhvillojë të martën kundër Burkina Fasos.
Deklarata pas ndeshjes, e Edon Zhegrovës, kliko këtu
Edon Zhegrova: Sot për mua ka qenë një ditë shumë e veçantë. Të luash për shtetin tënd është një emocion vërtet i veçantë dhe po ashtu edhe të shënosh gol. Është një ndjenjë shumë e mirë. Mendoj se edhe djemtë kanë pasur një paraqitje fantastike, kështu që të gjithë kanë dhënë maksimumin. Shpresoj të vazhdojmë me fitore. I përshëndes të gjithë tifozët që kanë qenë këtu dhe na kanë përkrahur. Dedikimi për golin? Është për të gjithë kosovarët dhe për shtetin tonë”.
Deklarata e përzgjedhësit Bernard Challandes, kliko këtu
Bernard Challandes: Jam shumë i kënaqur me fitoren, kjo është e qartë. Qëllimi i parë që kemi patur gjatë javës ka qenë në aspektin mbrojtës. Nuk kemi pësuar gol dhe kjo është shumë e rëndësishme për mua, ndërkohë që gjatë eliminatoreve Kosova është ndëshkuar 24 herë. Patëm raste të mira edhe në pjesën e dytë, por nuk i konkretizuam. Jam i kënaqur edhe me mentalitetin e skuadrës, djemtë qëndruan kompaktë, kjo ishte ajo që doja në këtë takim. Kam rezervat e mia në disa momente të lojës. I kemi humbur disa topa, por mund t’i korrigjojmë gabimet. Tani është e qartë, kemi mundur Madagaskarin, që nuk është Brazili, edhe pse mbetet një kundërshtar për t’u respektuar, por duhet të jemi të përqendruar dhe të shohim për të ardhmen.