25 mars, 2018 – Kombëtarja U21 po vazhdon stërvitjet intensive në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen kualifikuese për Euro 2019 kundër Gjermanisë, e cila do të zhvillohet, të martën, në Stadiumin Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë, në orën 18:45. Edhe pasditen e sotme djelmoshat e drejtuar nga Rafet Prekazi e Erdogan Celina kryen stërvitjen në fushën e KF ‘2 Korriku’. Në seancën e sotme stërvitën me ritëm të plotë edhe dy lojtarët që vuanin nga lëndimet, bëhet fjalë për Rron Brojën dhe Mirlind Dakun, derisa edhe pjesa tjetër e futbollistëve janë në formë të mirë dhe po e presin me padurim ndeshjen kundër gjermanëve. Përkundër motit me shi dhe temperaturave të ulta edhe gjatë stërvitjes së sotme përkushtimi i futbolistëve ishte maksimal. Përzgjedhësi Prekazi i ka kushtuar vëmendje të madhe rreshtimit të skuadrës për sfidën e së martës, duke u përqendruar kryesisht në repartin e mbrojtjes, por duke mos lënë anash as skemat e ndryshme në sulm. Kombëtarja U21 nesër do ta ketë stërvitjen e fundit, të cilën do ta mbajë në Stadiumin Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë, në orën 17:00.
Deklaruan pas stërvitjes
Erdogan Celina: Edhe pse moti ka qenë shumë i vështirë gjatë këtyre ditëve, djemtë kanë punuar me vullnet shumë të madh. Fitorja kundër Azerbajxhanit ka ndikuar që të punojmë në qetësi dhe lojtarët po e presin me padurim ndeshjen kundër Gjermanisë. Shpresojmë të kemi një paraqitje sa më të mirë dhe të mos i zhgënjejmë tifozët tanë me lojë.
 
 
Rron Broja: Na pret një ndeshje e vështirë kundër Gjermanisë, pasi dihet që kemi të bëjmë me kampionët në fuqi. Mirëpo, ne jemi të përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje dhe synojmë që të bëjmë befasi, duke marrë një barazim e pse jo edhe fitore. Gjermanët janë shumë të fortë, por e kemi analizuar lojën e tyre dhe do të japim maksimumin që të nxjerrim rezultat pozitiv në këtë ndeshje.
 
 
Visar Bekaj: Besoj se fitorja kundër Azerbajxhanit na ka dhënë motiv shtesë. Shpresojmë të mbrohemi mirë kundër Gjermanisë dhe me ndonjë kundërsulm t’i ndëshkojmë. Ata kanë lojtarë shumë cilësor, por ne po shpresojmë se do t’i befasojmë.