26 mars, 2018 – Sot në hotel ‘Emerald’ në bashkëorganizim të FFK-së dhe Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë, është shënuar 10 vjetori  i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona. Ky event është organizuar një ditë para ndeshjes kualifikuese për Euro 2019, ndërmjet Kosovës U21 dhe Gjermanisë U21, që zhvillohet të martën në orën 18:45 në Stadiumin Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë. Të pranishëm në këtë ngjarje kanë qenë sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, nënkryetari, Agim Ademi, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldts, si dhe nënkryetari i DFB-së, Ronny Zimmermann. Në këtë ngjarje krahas futbollistëve të Kombëtares U21 të Gjermanisë, ishin të pranishëm edhe futbollistët e Kombëtares U-15 të Kosovës, të cilëve iu dhurua nga një fanellë e kombëtares gjermane.
Duke i falënderuar të pranishmit, ambasadori gjerman theksoi se “Viti 2016 ishte viti kur Kosova arriti të anëtarësohej në UEFA e FIFA, kurse sivjet ne e festojmë jo vetëm 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, por edhe 10 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Republikës Federale të Gjermanisë dhe Kosovës – Pra, theksoi tutje ambasadori gjerman, ky është një momentum shumë i mirë që kjo ndeshje do të zhvillohet në këtë periudhë. Falënderoj të dyja federatat që kanë mundësuar ta mbajmë këtë ngjarje. Në kuadër të këtij eventi para ndeshjes më gëzon fakti se lojtarët mund të shkëmbejnë mendime ndërmjet veti, pasi ata do të jenë yjet e së nesërmes të të dyja kombëtareve. Prandaj vazhdoni të luani futboll, sepse është sporti më i mirë në botë. Nëse keni talent dhe nëse i kushtoni rëndësi, atëherë pa dyshim se kjo do t’iu shpërblehet”.
Në anën tjetër sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu i falënderojë të gjithë të pranishmit për pjesëmarrje në k ëtë event, derisa theksoi se ndeshja e nesërme kundër Gjermanisë është një festë, derisa marrëdhëniet me DFB-në i vlerësoi të shkëlqyeshme.
“Ne kemi marrëdhënie të shkëlqyeshme me DFB-në dhe në këto marrëdhënie ka ndikuar jashtëzakonisht shumë mbështetja që kemi marrë nga DFB, qoftë nëpërmjet licencimit të trajnerëve por edhe mënyrave tjera të bashkëpunimit, për çka ju falënderoj përzemërissht në emër të FFK-së“, theksoi Salihu, i cili bëri me dije se Kombëtarja gjermane ka shumë përkrahës në Kosovë, derisa në fund me shaka u shpreh se ‘ne të gjithë luajmë futboll, por në fund fiton Gjermania’.
Me një fjalë rasti të pranishmit i përshëndeti edhe nënkryetari i DFB-së,Ronny Zimmermann: “Për mua është hera e parë që jam në Kosovë dhe është një gjë interesante. Shpresoj se krahas ndeshjes së nesërme të kemi rastin ta shohim edhe vendin, por edhe njerëzit e këtij vendi. Shpresoj se nesër do të jemi dëshmitarë të një loje të mirë“.
Në fund të kësaj ngjarje u dorëzuan shpërblimet në garën për trikun më të mirë. Shpërblimi kryesor me nga një fanellë të Kombëtares së Kosovës dhe Gjermanisë shkoi tek Halil Mazrekaj, derisa me nga dy bileta të ndeshjes u shpërblyen edhe Dion Tupella, Eron Hoxha, Art Gashi dhe Jon Miftari.