30 mars, 2018 – Skuadra që po lufton për mbijetesë në Vala Superligë, Besa e Pejës, ka arritur ta arkëtojë një pikë tejet të rëndësishme, duke barazuar me rezultat 2:2 në duel me Lirinë, e cila është në garë për titull. Kjo ishte ndeshja hapëse e javës së 25-të dhe u zhvillua në stadiumin “Përparim Thaçi” në Prizren. Të parët në epërsi kaluan pejanët me golin e shënuar nga Zivkovic, në minutën e 15-të. Liria e riktheu baraspeshën në rezultat në minutën e 34-t me golin e shënuar nga Roni Gashi, me gjuajtje me kokë pas harkimit të mirë të Florent Avdylit. Mirëpo, gëzimi i prizrenasve nuk zgjati më shumë se dy minuta, kur Mullabeqiroviq shënoi për ta kaluar sërish Besën në epërsi, 1:2. Megjithatë, pjesën e dytë futbollistët e Lirisë e nisën furishëm dhe krijuan shumë raste para portës pejane, por golin e barazimit e shënuan në minutën e 70-të, kur realizoi Zenel Gavazaj, pas një gabimi të portierit pejan. Pas këtij barazimi, Liria vazhdon të mbetet në pozitën e tretë me 42 pikë, ndërsa Besa në vendin e 10 me 18 pikë.