8 prill, 2018 – Kombëtarja e Kosovës, e përbërë me futbollistë nën moshën 16-vjeçe, sot, ka zhvilluar edhe ndeshjen e tretë dhe të fundit në kuadër të turneut zhvillimor që u mbajt në Irlandën Veriore nën përkujdesjen e UEFA-s për grupmoshat U-16. Pas humbjes nga Irlanda Veriore (1:4) dhe më pas fitores kundër Ishujve Faroe (4:0), djelmoshat e përzgjedhësit Besnik Kollari në ndeshjen e sotme pësuan humbje kundër Luksemburgut 1:3, në një fushë jo aq të përshtatshme për lojë. Ndeshja nisi keq për kombëtaren tonë, pasi qysh në minutën e dytë Luksemburgu kaloi në epërsi me golin e shënuar nga Yann Hoffman, nga penalltia. Sidoqoftë, ky gol i hershëm nuk ndikoi aspak negativisht në lojën e djelmoshave tanë, të cilët shumë shpejtë u këndellën dhe krijuan raste të njëpasnjëshme, por që fati nuk ishte në anën e tyre, ku madje dy herë qëlluan shtyllën. Megjithatë, në minutën e 29-të Kosova e barazoi rezultatin kur shënoi Oltion Bilalli. Në pjesën e dytë djelmoshat tanë nga dëshira për të kaluar sa më shpejtë në epërsi pësuan gol në minutën e 54-të, kur realizoi Alessio Curci. Ndërkohë, në periudhën kur Kosova po bënte presion të vazhdueshëm drejt portës kundërshtare, në minutën e 69-të, erdhi edhe goli i tretë për Luksemburgun, të cilin e shënoi Noah Mabika, që në këtë mënyrë edhe e vendosi rezultatin përfundimtar 1:3. Gjithsesi, ky turne ishte i mirëseardhur dhe i ka shërbyer përzgjedhësit Besnik Kollari për t’i testuar futbollistët dhe për të krijuar një ekip sa më cilësor për sfidat që e presin në të ardhmen Kombëtaren U17.
Kosova – Luksemburgu 1:3
Shënues: Oltion Bilalli 29′ – Yann Hoffman 1′-pen, Alessio Curci 54′, Noah Mabika 69′
Kartonë të verdhë: Mala, Konjuhi – Santos, Latic
Kosova: Butrint Bulliqi, Leuart Avdyli, Valon Zumberi, Florind Lokaj, Hajdin Salihu, Andi Janjeva, Oltion Bilalli, Bleron Krasniqi, Milot Avdyli, Edin Huseini, Lekë Demjaha, Valon Azemi, Leorant Marmullaku, Ardi Ajdini, Taulant Kiçmari, Doader Mala, Erdin Dushi, Veton Tusha, Valdrin Konjuhi, Adrion Pajaziti.
Luksemburgu: Noel Mattis, Lelanda Ruter, Stevan Popovic, Ahmed Mohomed, Demin Skenderovic, Irvin Latic, Alessio Cursi, Ian Santos, Yann Hoffmann, Meris Dervisevic, Lucas Correia, Sergio Englaro, Hugo Domingos, Emre Erkus, Logan Bicheler, Marleigh Rodrigues, Noah Mabika, Joey Leite, Louis Bruyere, Bryan Dos Santos.