24 prill, 2018 – Në kuadër të projektit “We are all Equal – Të gjithë jemi të barabartë”, sot në stadiumin e KF ‘Ramiz Sadiku’ në Prishtinë u mbajt aktiviteti i radhës me fëmijët me nevoja të veçanta. Aktivitete të tilla FFK ka paraparë të mbajë dy herë në muaj në kryeqytet në kuadër të projekteve të Grassroots, kurse nga muaji shtator do të fillohet me shtrirjen e këtij aktiviteti edhe në qytetet e tjera, me qëllim që fëmjëve me nevoja të veçanta t’u mundësohet të argëtohen me lojëra të ndryshme në fushën e futbollit dhe të ndihen të barabartë me të tjerët. Aktivitetin e sotëm e kanë ndjekur nga afër edhe sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu dhe drejtori teknik Michael Nees. Pjesëmarrësit e këtij aktiviteti gjatë dy orëve krahas lojës së futbollit u argëtuan edhe me lojëra të ndryshme nën ritmin e muzikës nën përkujdesjen e trajnerëve si dhe pedagogëve të Qendrës Burimore për mësim dhe këshillim “Përparimi”, derisa prindërit e fëmijëve u shprehën të lumtur që FFK ka nisur me aktivitete të tilla dhe po i mbështet fëmijët me nevoja të veçanta. Në fund të këtij aktiviteti për të gjithë pjesëmarrësit u shtrua drekë e përbashkët.