26 prill, 2018 – Dje dhe sot në Mitrovicë është mbajtur turneu në futboll në kuadër të projektit “Rekrutimi i vajzave të reja në futbollin shkollor” që po organizohet nga Federata e Futbollit e Kosovës në bashkëpunim me Shoqatat e Pedagogëve të Kulturës Fizike dhe Sportit. Edhe në Mitrovicë interesimi për të qenë pjesë e këtij projekti ishte i madh, ku morën pjesë 19 ekipe nga shkollat e kësaj komune. Ashtu sikurse edhe në qytetet e tjera edhe në Mitrovicë gjatë dy ditëve u shfaqën lojëra interesante, derisa u dalluan edhe disa talente që në të ardhmen do të reduktohen në futbollin e organizuar, që është edhe synimi kryesor i këtij projekti. Turneun nga afër e ndoqi përgjegjësja për futbollin e femrave në FFK, Valbonë Gashi – Uka, trajneri i Përfaqësueses së Kosovës për femra, Veton Çitaku, si dhe trajnerët e klubeve të futbollit për femra të Mitrovicës. Pedagogët pjesëmarrës në këtë turne u shprehën falënderues për realizimin e këtij projekti, i cili shihet se ka bërë sensibilizimin e vajzave të reja për futbollin, duke krijuar menjëherë një dashuri të madhe për këtë lojë. Pas dy ditësh garish në fund fitues i këtij turneu doli ekipi i SHFMU “Jusuf Rexha” – Kushtovë, që do ta përfaqësojë Mitrovicën në turneun final në Prishtinë. Në finale ky ekip e mundi ekipin e SHFMU “Anton Zako Çajupi” – Mitrovicë, me rezultat 2:0. Ndërkaq, vendi i tretë i takoi ekipit të SHFMU “Abdullah Shabani” – Mitrovicë. Për ekipet më të suksesshme u ndanë kupa, derisa për të gjitha ekipet pjesëmarrëse u shpërndanë mirënjohje nga FFK. Turneu i radhës në kuadër të këtij projekti do të mbahet në Gjilan.