28 prill, 2018 – Sot në Gjilan është mbajtur turneu i radhës në futboll të vogël me moton “Ti mund ta bësh” në kuadër të projektit  që po organizohet nga Federata e Futbollit e Kosovës  “Rekrutimi i vajzave të reja në futbollin shkollor”. Në këtë turne morën pjesë 6 ekipe nga shkollat e kësaj komune. Kryetari  Shoqatës së Pedagogëve të Kulturës Fizike dhe Sportit në Gjilan, Blerim Sylejmani ka falënderuar ekipet pjesëmarrëse në këtë turne, derisa FFK-në e ka përgëzuar për këtë projekt, i cili është i mirëseardhur, pasi sensibilizon dhe nxit pjesëmarrjen e vajzave në futboll.  Turneun nga afër e ndoqi përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës U16 dhe U19 për femra, Kushtrim Munishi, i cili në hapje të turneut kërkoi nga vajzat që ta duan futbollin dhe ato që kanë talent ta ndjekin ëndrrën e tyre për t’u bërë futbolliste, pasi tanimë me pranimin e FFK-së në UEFA e FIFA janë hapur shumë shtigje për t’i dëshmuar vlerat e tyre në këtë sport.
Pas disa lojërave mjaft interesante dhe rivalizuese në fund fitues i turneut doli ekipi i SHFMU “Skënderbeu” – Përlepnicë, që në finale arriti ta mposhtë vetëm pas penalltive ekipin e SHFMU “Fetah Qerimi” – Vërbicë, 5:4. Ndërkaq, vendi i tretë i takoi SHFMU “Thimi Mitko” – Gjilan. Për ekipet më të suksesshme u ndanë kupa, derisa për të gjitha ekipet pjesëmarrëse u shpërndanë mirënjohje nga FFK. Ekipi fitues do ta përfaqësojë Gjilanin në turneun final që do të mbahet në fund të projektit në kryeqytet.  Turneu i radhës në kuadër të këtij projekti do të mbahet në Pejë.