3 maj, 2018 – Dy vjet më parë futbolli i Kosovës mori lajmin më të rëndësishëm që nga ekzistimi i tij. Në fakt, 3 maj i vitit 2016 në Budapest do të shënohet gjithmonë si data më e rëndësishme për Federatën e Futbollit të Kosovës, pasi në këtë datë Kosova u anëtarësua në UEFA, pas plot 25 vjetësh sakrifice e izolimi të shumë gjeneratave.
Në kongresin e UEFA-s, Kosova mori 28 vota pro për t’u bërë pjesë e familjes evropiane të futbollit, duke u bërë kësisoj anëtare me të drejta të plota e këtij institucioni. Që nga ajo kohë Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në zhvillimin e futbollit në të gjitha segmentet dhe FFK vazhdon të punojë parreshtur për një të ardhme të ndritur të futbollit kosovar, si në rrafshin vendor ashtu edhe në atë ndërkombëtar.