3 maj, 2018 – Sot janë zhvilluar dy ndeshjet e fundit të javës së 30-të në Vala Superligën e Kosovës në futboll. Flamurtari ka shënuar fitore tepër të rëndësishme si mysafir në Pejë, duke e mposhtur Besën, me rezultat bindës, 4:0. Kjo fitore ia ka mundësuar Flamurtarit që të ngjitet në pozitën e 10-të dhe tri javë para përfundimit të kampionatit ka tri pikë më shumë se Besa, duke bërë po thuajse hapin vendimtar drejt sigurimit të barazhit. Kuqezinjtë e kryeqytetit kaluan në epërsi qysh në minutën e 2-të, kur Almir Ajzeraj shënoi gol të shkëlqyeshëm nga gjuajtja e lirë. Ndërkohë, në pjesën e dytë mysafirët u treguan edhe më efikas, duke realizuar edhe tre gola tjerë nëpërmjet Oscar Mendes (49’), Alban Shillovës (77’) dhe Almir Ajzerajt (86’). Ndërkohë, edhe në ndeshjen tjetër fitores iu gëzuan mysafirët, ku Vëllaznimi e mposhti Vllazninë, me rezultat 2:0. Me këtë fitore Vëllaznimi mban shpresa që eventualisht në tri javët e fundit të arrijë t’i shmanget edhe barazhit, derisa Vllaznisë pas kësaj humbje i janë shuar shpresat për mbijetesë. Golat për fitoren e gjakovarëve i shënuan Henry Chibuese (73’) dhe Lekë Vula (87’).