12 maj, 2018 – Sot janë zhvilluar dy ndeshje në kuadër të javës së 32-të në Vala Superligë, Gjilani – Drenica e Feronikeli – Vëllaznimi dhe që të dyja u mbyllën pa fitues. Ashtu sikurse për titull, edhe për skuadrën e fundit që do të luajë në barazh do të vendosë java e fundit e kampionatit. Do të jetë pikërisht sfida ndërmjet Vëllaznimit dhe Gjilanit, ajo që do të përcaktojë se cila nga to do ta sigurojë mbetjen në elitë, e cila do të luajë në barazh. Ndeshja në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas ka dhuruar dramë të vërtetë në minutat e fundit. Feronikeli kaloi në epërsi në minutën e 3-të shtesë, kur pas një kundërsulmi të shpejtë Milicaj e shërbeu Hamed Konen në zonë dhe ky pa ndonjë problem e dërgoi topin në rrjetën e Muhaxhirit. Kur u mendua që Feronikeli përfundimisht do ta shijoi fitoren pas 6 ndeshjeve , në aksionin e fundit të ndeshjes Tun Bardhoku realizoi një eurogol nga distanca, duke shtangur futbollistët vendas dhe duke i dhuruar një pikë të rëndësishme skuadrës së tij, pasi tashmë Vëllaznimi e ka në duart e veta fatin e mbetjes në elitë. Me rezultat identik sikurse në Drenas u mbyll edhe përballja ndërmjet Gjilanit dhe Drenicës, por këtu të dy golat u shënuan në pjesën e parë. Të parët në epërsi kaluan gjilanasit me golin e Betim Haxhimusës, në minutën e 6-të, por shifrat i barazoi Denis Peposhi, në minutën e 25-të. Pas këtij barazimi Drenica e pret javën e fundit e qetë, derisa Gjilani duhet të arkëtojë një pikë në Gjakovë në duel me Vëllaznimin për t’iu shmangur barazhit, në të kundërtën do të jetë i detyruar ta kërkojë mbetjen në elitë nëpërmjet barazhit, pasi edhe nëse mbetet me pikë të njëjta me Feronikelin ka bilanc më të keq në ndeshjet e ndërsjella.