18 maj, 2018 – Sot janë zhvilluar tri ndeshje në kuadër të javës së 33-të (të fundit) në Vala Superligë. Trepça’89 ka shënuar fitore me rezultat bindës kundër  Vllaznisë, me rezultat 6:1. Golat për skuadrën mitrovicase i shënuan El-Kayed (1’), Ylber Maloku (20’, 63’), Oto John (54’) dhe Arb Manaj (65’), kurse me një gol ka kontribuar edhe lojtari mysafir Elbasan Thaçi, që realizoi autogol (47’). Ndërkaq, golin e vetëm për Vllazninë e shënoi Almedin Murati, në minutën e 82-të. Për Vllazninë kjo ishte ndeshja e fundit në elitë, pasi në edicionin e ri do të bëjë gara në Ligën e Parë, së bashku me Besën. Kjo e fundit u përshëndet me humbje nga Superliga, pasi në shtëpi u mposhtë nga Llapi, me rezultat 3:4. Nga dy gola për llapjanët i shënuan Gentrit Begolli (20’, 38’) dhe Mirlind Daku (47’, 78’), derisa për pejanët dy gola i shënoi Fetim Kasapi (88’, 89’), kurse një gol Florent Qorraj (70’). Fitores si mysafir iu gëzua edhe Feronikeli, që e mposhti Flamurtarin, me rezultat 3:0, me golat e shënuar nga Mendurim Hoti, Albutrint Morina e Haxhi Shala. Kjo ishte fitorja e parë për Sulejman Starovën nën drejtimin e skuadrës nga Drenasi, derisa Flamurtari është më mendje te ndeshja e barazhit, ku do të ballafaqohet me Vushtrrinë. Nesër zhvillohen dy ndeshje, ku pa dyshim vëmendja do të jetë e përqendruar në Gjakovë, ku ballafaqohen Vëllaznimi-Gjilani, e ku do të vendoset se cila nga këto dy skuadra do të luajë në barazh kundër Ferizajt. Ndërkaq, në duelin tjetër përballen Drenica – Liria. E me interesim të jashtëzakonshëm pritet ndeshja e së dielës ndërmjet Prishtinës dhe Dritës, e cila luhet në stadiumin “Shahin Haxhiislami” në Pejë, ku do të mësohet edhe skuadra kampione. Prishtinës i duhet fitorja me dy gola epërsi për t’u shpallur kampione, pasi çdo rezultat tjetër e bën Dritën kampione.