19 maj, 2018 – Futbolli është lojë magjepse, ndaj edhe gati nuk ka kush në botë që nuk joshet dhe nuk organizon lojë futbolli. Organizimi i një turneu në futboll të quajtur “Miqësia” si sinonim të sportit në veçanti i futbollit nga ana  e Ambasadës së Francës, flet mjaft në dobi të kësaj. Sot në fushën e KF”2 Korriku” në Prishtinë, morën pjesë ekipi nga personeli i Ambasadës së Francës në Kosovë, një ekip i ardhur nga Franca si pjesë e ambasadës, Ambasada e Gjermanisë, Proka, FFK dhe Gold rent car. Ndeshjet u zhvilluan me sistem eliminimi dhe u tregua rivalitet i madh. E veçanta e  këtij turneu ishte se të gjithë lojtarët e ekipit “Proka” në shpinë kishin numrin 9 dhe mbiemrin Vokrri, duke sjellë në kujtesë në prag të Kampionatit botëror Rusia 2018, numrin e legjendës së futbollit të Kosovës z. Fadil Vokrri aktualisht president i FFK-së. Në finale ekipi i FFK-së ishte dukshëm më i mirë se ekipi Proka pasi fitoi me rezultat 7:1, ndërsa shënuesi më i mirë ishte numri 10 dikur i Prishtinës Eroll Salihu, tash sekretar i përgjithshëm i FFK-së. Të kujtojmë se turne të tilla më herët ka organizuar edhe Ambasada e Gjermanisë.