19 maj, 2018 – Vëllaznimi është skuadra e cila do të luajë në barazh për mbetje në elitë, pasi në ndeshjen e javës së fundit në Vala Superligë që u zhvillua sot në Gjakovë ka barazuar pa gola me Gjilanin. Ky epilog i këtij takimi i shkoi përshtati skuadrës gjilanase, e cila falë këtij barazimi u konfirmua si anëtare e elitës edhe për edicionin e ardhshëm. Rëndësia e kësaj ndeshje kishte bërë që tribunat e stadiumit në Gjakovë të ishin të stërmbushura dhe gjithçka shkoi mirë deri në minutën e 92-të, kur disa tifozë të pandërgjegjshëm hodhën gjësende në fushë, me ç’rast pësoi lëndim në kokë Betim Haxhimusa. Kjo ishte arsye që gjyqtari Genc Nuza kërkoi zbrazjen e tribunave për të vazhduar më pas me minutat e mbetura, e ku nuk ndryshoi asgjë në rezultat. Në ndeshjen tjetër që u zhvillua sot, Drenica dhe Liria barazuan me rezultat 1:1. Të parët në epërsi kaluan vendasit me golin e Kreshnik Ukës, në minutën e 30-të, derisa golin e barazimit për Lirinë e shënoi Artur Magani, në minutën e 74-t. Kësisoj, tashmë dihet se nga Superliga janë përshëndetur Besa dhe Vllaznia, derisa në barazh të mërkurën Flamurtari do të luajë kundër Vushtrrisë, derisa Vëllaznimi të enjten do ta kërkojë mbetjen në elitë në duel me Ferizajn. Ndërkohë në Superligë nga Liga e Parë janë inkuadruar KEK-u dhe Ballkani, derisa nga Liga e Parë janë përshëndetur Kosova (P) dhe Hajvalia, derisa në barazh kanë përfunduar Trepça dhe Rahoveci.