24 maj, 2018 – Ferizaj është skuadra që edicionin e ardhshëm do të luajë në Superligë. Ferizajasit, në ndeshjen e sotme të barazhit, kanë arritur ta mposhtin skuadrën e deritashme të elitës, Vëllaznimin, pas gjuajtjes së penalltive, me rezultat 3:2. Ndeshja që u zhvillua në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, në kohën e rregullt dhe pas vazhdimeve u mbyll pa gola. Pjesa e parë ishte më e mirë për gjakovarët por edhe ato pak raste të krijuara nuk arritën t’i shndërrojnë në gol. Në anën tjetër, në pjesën e dytë më konkret ishin ferizajasit, të cilët krahas kujdesit të madh në mbrojtje u shfaqën kërcënues edhe në sulm, por pa arritur të gjejnë golin. Në vazhdimet dy herë nga 15 minuta të dyja ekipet ishin tejet të kujdesshme dhe kësisoj gjithçka rreth fatit të skuadrës që do të luante në Superligë u vendos në serinë e penalltive. Në dy gjuajtjet e para portieri i Vëllaznimit, Altik Muhaxhiri u tregua mjaft i suksesshëm, duke pritur gjuajtjet e Burim Shabanit dhe Erdin Hashanit, mirëpo në gjuajtjet e tjera hero i Ferizajit ishte portieri Armend Blakqori, i cili priti gjuajtjet e Tun Bardhokut, Richard Asares dhe Besnik Krasniqi, duke ia siguruar skuadrës së tij ngjitjen në Superligë dhe duke e detyruar Vëllaznimin që në edicionin e ri të luajë në një rang më të ulët të garave.