26 maj, 2018 – Federata e Futbollit e Kosovës krahas përmirësimit të infrastrukturës së stadiumeve, si prioritet të vetin e ka vendosur edhe masovizimin dhe zhvillimin e futbollit të femrave. Për këtë qëllim, FFK-ja, ka realizuar projektin “Rekrutimi i vajzave të reja në futbollin shkollor”, në partneritet me UEFA-në e FIFA-në. Nëpërmjet këtij projekti, i cili fillimisht u realizua në 7 qytetet më të mëdha të Kosovës, derisa sot u finalizua me turneun e shkollave fituese nëpër qytete, FFK-ja e bëri me mjaft sukses promovimin dhe masovizimin e futbollit tek vajzat.
I gjithë ky aktivitet u realizua në bashkëpunim me Shoqatat e Pedagogëve të Kulturës Fizike dhe Sportit në të gjitha komunat ku u mbajtën turnetë. Në turneun final, i cili u zhvillua në objektin modern “Sopa Sport” në Lipjan, morën pjesë këto ekipe: SHMU “Zekirja Rexha” – Gjakovë, SHMU “Gjon Sereçi”-Ferizaj, SHMU “Naim Frashëri” – Vllashne (Prizren), SHMU “Skenderbeu” – Përlepnicë (Gjilan), SHMU “Jusuf Rexha” – Kushtovë (Mitrovicë), SHMU “Sami Frashëri” – Ozdrim (Pejë) dhe  SHMU “Elena Gjika” – Prishtinë.
Fillimisht ekipet pjesëmarrëse dhe pedagogët i përshëndetën bartësja e këtij projekti, Vjollcë Krasniqi, anëtare e KE të FFK-së, nënkryetari i FFK-së, Agim Ademi dhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu, të cilët u shprehën të lumtur për finalizimin e suksesshëm të këtij projekti, që në masë të madhe ka arritur ta sensibilizojë opinionin që sa më shumë vajza të përfshihen në futboll. Organizimi i turneut final ishte i shkëlqyeshëm, pasi të gjitha ekipet pjesëmarrëse ishin pajisur me fanella, derisa fusha ku u zhvilluan ndeshjet ofroi kushte shumë të mira.
Në ndeshjet e zhvilluara u shfaq dëshirë e madhe e ekipeve për sukses, por njëherësh u tregua edhe kulturë dhe frymë e lartë sportive. Pas disa lojërave mjaft interesante në fund fitues i turneut doli ekipi i SHMU “Gjon Sereçi” nga Ferizaj, që në finale e mposhti ekipin e SHMU “Zekirja Rexha” nga Gjakova, me rezultat 4:0.
Në fund, kupën për vendin e parë e ndau Vjollcë Krasniqi, për vendin e dytë përzgjedhësi i Përfaqësueses U-19, Kushtrim Munishi, derisa kupën e vendit të tretë për SHMU “Jusuf Rexha” nga Kushtova e Mitrovicës e ndau Valbona Gashi-Uka, menaxhere e futbollit të femrave. Ndërkaq, medaljet për tri ekipet e para i shpërndau nënkryetari i FFK-së, Agim Ademi. Krahas medaljeve dhe kupave për tri ekipet më të suksesshme, FFK ndau edhe nga 4 topa për ekipet pjesëmarrëse të turneut final, si dhe nga një top për shtatë Shoqatat e Pedagogëve të Kulturës Fizike dhe Sportit.
Drejtuesit e FFK-së u zotuan se edhe në të ardhmen do të vazhdojnë me realizimin e projekteve të këtij lloji, në mënyrë që rinia jonë të përfshihet sa më shumë në futboll, si një sport që ofron shumë mundësi.

Deklaruan pas turneut final
Agim Ademi, nënkryetar i FFK-së: Këtë turne e kemi organizuar me qëllim të masovizimit dhe rekrutimit të sa më shumë vajzave në futboll në partneritet me UEFA-në, pasi në këtë mënyrë gjejmë talente dhe shtojmë konkurrencën edhe në Ligën e posa nisur për U16. Ky turne ka shkuar jashtëzakonisht mirë dhe e ka arritur qëllimin e vet, ngase përveç socializimit dhe bashkëpunimit të vajzave ndërmjet shkollave të qyteteve të gjithë Kosovës, realisht janë zgjedhur edhe disa talente që janë rekrutuar në klube në formë organizative. I falënderoj të gjithë ata që janë marrë me këtë aktivitet, si shkollat, ashtu edhe komunat, pasi ka qenë një organizim briliant dhe normalisht që lëvdatat më të mëdha duhet të shkojnë për stafin e FFK-së, në krye me sekretarin e përgjithshëm, Eroll Salihu, bartësen e këtij projekti Vjollcë Krasniqi dhe menaxheren e futbollit të femrave, Valbona Gashi-Uka, që kanë dhënë kontributin e tyre maksimal.

Eroll Salihu, sekretar i përgjithshëm i FFK-së: Ky është një projekt i FIFA-s dhe UEFA-s dhe objektivi ynë ka qenë që pas fillimit të Ligës U16, të kemi një aktivitet të tillë që të reduktojmë sa më shumë vajza në futbollin e organizuar. FIFA dhe UEFA kanë projekte të shumta dhe Komiteti Ekzekutiv i FFK-së e ka vendosur si prioritet zhvillimin e futbollit të femrave. Kjo ka qenë ëndrra e jonë që të kemi aktivitete të tilla për rininë tonë nën stemën e UEFA-s dhe FIFA-s.

Vjollcë Krasniqi, anëtare e KE të FFK-së dhe bartëse e projektit: Që nga fillimi i këtij projekti kemi punuar me qëllimin që të kemi përfshirje sa më të madhe të vajzave në futboll dhe profesorët e shkollave dhe trajnerët e klubeve të identifikojnë vajzat që kanë talent. Turneu final dëshmoi se kemi bërë një punë të jashtëzakonshme, ku pati frymë të lartë sportive dhe korrektësi maksimale nga vajzat. FFK do t’i mbështesë fuqishëm talentet e reja dhe të gjitha vajzat që kanë dëshirë për t’u përfshirë në futboll, pasi synimi ynë është që të kemi klube sa më të organizuara dhe rritje të masovizimit të futbollit të femrave. Në këtë mënyrë sigurisht se pastaj do të kemi edhe rritje të konkurrencës në ligë dhe lojëra dukshëm më cilësore. Ne po punojmë që ta sensibilizojmë sa më shumë opinionin që t’i kushtohet vëmendje futbollit të femrave, sepse shihet që ka talente, por duhet punë më e madhe për t’i përfshirë ato në futbollin e organizuar.

Bashkim Thaçi, kryetar i Shoqatës së Pedagogëve të Kulturës Fizike në Ferizaj: Ky aktivitet ka qenë mjaft i domosdoshëm dhe tejet i mirëpritur nga shkollat. Ne e falënderojmë FFK-në për këtë projekt, pasi ka pasur një interesim të jashtëzakonshëm, sidomos në qytetin e Ferizajt. Organizimi i sotëm  ka qenë i shkëlqyeshëm nga federata dhe ishte një garë shumë e mirë. Besoj se është arritur qëllimi i këtij projekti që ka qenë masovizimi i futbollit të femrave, por mendoj se aktivitetet e tilla duhet të vazhdohen, ngase talente ka, por duhet punë.

Greta Gashi, Pejë: Ky turne është shumë i rëndësishëm për të na çuar tutje drejt zhvillimit në këtë sport, pasi më herët nuk i kemi pasur këto mundësi. Tash i kemi mundësitë dhe duhet t’i shfrytëzojmë ato, pasi futbolli është një sport mjaft i pëlqyeshëm dhe që të bën shumë shpejt për vete.

Vanesa Nushi, Gjakovë: Organizimi i këtij aktiviteti ka qenë mjaft i mirëseardhur për ne. Personalisht falë këtij aktiviteti unë jam përfshirë në KF ‘Jakova’, ngase trajnerët e kanë parë talentin tim që kam shfaqur në turneun që është mbajtur me shkollat e Gjakovës. Futbollin e kam dashur qysh kur kam qenë e vogël dhe pres që një ditë të jem edhe pjesë e Kombëtares së Kosovës.

Tringa Nevzati, Gjilan: Unë edhe më herët jam marrë me futboll, pasi jam pjesë e KF ‘Intelaktualet’, por mendoj se ky turne i ka ndihmuar shumë bashkëmoshataret e mia që ta gjejnë veten në këtë sport. Unë i ftoj vajzat që t’i bashkohen klubeve të futbollit sepse shihet që ka shumë talente dhe pres që të ketë sa më shumë turne të këtij lloji, ngase kështu rritet edhe dëshira e vajzave për t’u marrë me futboll.

Anda Ferizaj, Prishtinë: Është hera e parë që kam marrë pjesë në një aktivitet të tillë dhe jamë shumë e kënaqur, edhe pse me ekipin tim nuk arritëm të kemi shumë sukses. Mendoj që krahas mësimeve që për mua janë primare, do të regjistrohem edhe në ndonjë klub futbolli, sepse ky sport po më tërheq shumë. Po shihet se në Kosovë ka shumë talente të futbollit dhe ishte kënaqësi për neve që ishim pjesë e këtij turneu final.

Aulona Krasniqi, Prizren: Pas turneut në Prizren jam rekrutuar nga trajnerët e Lirisë në klub, pasi ata kanë parë talentin tim për këtë lojë. E kam dashur edhe më parë futbollin, por tash do t’i përkushtohem shumë dhe do të punoj që në të ardhmen të arrij ta përfaqësojë edhe Kosovën.

Pranvera Fejzullahu, Ferizaj: Futbollin e kam dashur shumë që kur isha e vogël dhe në fillim kam qenë pjesë e ekipit të meshkujve,  pasi nuk kam qenë në dijeni që ka ekip të femrave në Ferizaj. Më pas jam bashkuar me ekipin e Vizionit dhe besoj që do të vazhdojë me këtë sport për kohë të gjatë. Shihet që ky turne ka ndikuar shumë tek bashkëmoshataret e mia që ta duan futbollin dhe të përfshihen në këtë sport.

Rezulatet
Çerekfinalja
Peja – Gjakova 1:2
Gjilani – Prishtina 0:2
Ferizaj – Prizreni  2:1
Mitrovica tutje pa lojë
Gjysmëfinalja
Gjakova – Prishtina 5:0
Ferizaj – Mitrovica 2:0
Finalja
Ferizaj – Gjakova  4:0