27 maj, 2018 – Skuadra e Mitrovicës është fituese e Kupës së Kosovës në futboll në konkurrencën e femrave, pasi në finalen e zhvilluar sot në Stadiumin Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë, e ka mposhtur Hajvalinë, me rezultat 2:1. Për vashat e Mitrovicës ky është trofeu i parë në këtë garë në histori të klubit. Hajvalia e nisi më mirë ndeshjen dhe qysh në minutën e 4-t kaloi në epërsi me golin e Bahtije Miftarit, e cila shënoi me kokë pas harkimit të Kaltrina Biçkajt. Megjithatë, futbollistet e Mitrovicës reaguan shumë shpejt dhe vetëm pas katër minutash arritën të barazojnë shifrat me golin e Gresa Berishës. Pas këtij goli futbollistet mitrovicase vazhduan me lojë edhe më të mirë dhe si rrjedhojë arritën të shënojnë edhe golin e epërsisë në minutën e 22-të, kur Endrina Elezaj realizoi pas asistimit të Fatbardha Osmanit. Këtë epërsi mitrovicaset e administruan mjaft mirë deri në fund, pasi ritmi i lojës në pjesën e dytë ishte më i zbehtë si rrjedhojë edhe e vapës së madhe. Në fund, kupën kapitenes së Mitrovicës, Fatbardha Osmanit ia dorëzoi anëtarja e KE të FFK-së dhe përgjegjëse për futbollin e femrave, Vjollcë Krasniqi, e cila i ndau edhe medaljet për ekipet finaliste së bashku me sekretarin e përgjithshëm të FFK-së, Eroll Salihu dhe menaxheren e futbollit të femrave, Valbonë Gashi-Uka.

Mitrovica   2
Hajvalia      1
Stadiumi “Adem Jashari”, Mitrovicë
Gjyqtarë:  Alban Shala, Driton Preniqi, Granit Hyseni, Ilir Mehmeti
Kartonë të verdhë: Marigona Tahiri, Suada Jashari, Gresa Berisha, Edona Kryeziu – Zelfije Bajrami, Arbenita Curraj, Majlinda Kadolli, Blerta Guri.
Shënuese: Gresa Berisha 8’, Endrina Elezaj 22’ – Bahtije Miftari 4’
Mitrovica: V. Rexhepi, E. Elezaj, G. Haziri, L. Syla, F. Osmani, Xh. Berisha, M. Tahiri, G. Berisha, Q. Bajra, E. Kryeziu, S. Jashari.
Hajvalia: M. Halili, E. Gashi, D. Haxha, M. Kadolli, A. Curraj, F. Kastrati, B. Musa, A. Rama, B. Miftari, K. Biçkaj, Z. Bajrami.