27 maj, 2018 – Prishtina është fituese e Digitalb Kupës së Kosovës për edicionin 2017/2018, pasi në finale e mundi Vëllaznimin, pas gjuajtjes së penalltive, 5:4.
Ndeshja e cila u zhvillua në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, nuk zgjoi interesim tek tifozët, pasi paraprakisht dihej skuadra që do të na përfaqësonte në Europa League.
Sidoqoftë, atmosferë të mirë kësaj ndeshje i dhuruan dy grupe të tifozëve të Vëllaznimit, të cilët nuk u ndalën së përkrahuri skuadrën e tyre të zemrës gjatë tërë ndeshjes, ndonëse vetëm pak ditë më parë përjetuan zhgënjimin e madh – rënien nga Superliga.
Ndeshja në kohën e rregullt u mbyll baras 1:1, derisa në vazhdime asnjëra skuadër nuk arriti të gjejë golin. Vëllaznimi e nisi më mirë ndeshjen dhe krijoi disa raste të mira shënimi, por futbollistët gjakovarë në disa raste nuk ishin efikas në finalizim, e në disa të tjera golin ua mohoi portieri i prishtinasve, Visar Bekaj, i cili bëri pritje të shkëlqyeshme.
Në anën tjetër, Prishtina në rastin e parë serioz arriti të shënojë, kur Basit Khalid shënoi me kokë pas harkimit të Bozhoviqit, në minutën e 22-të. Këtë epërsi prishtinasit e ruajtën deri në minutën e 80-të, kur Dardan Rogova shënoi nga afërsia për të barazuar shifrat dhe për ta çuar ndeshjen në vazhdime, ku asnjëra skuadër nuk e pati forcën për të ndryshuar asgjë në rezultat.
Kësisoj, fituesi u përcaktua në penallti, ku prishtinasit shënuan në pesë gjuajtjet, derisa te Vëllaznimi nuk realizoi vetëm Yll Myrtaj.
Në fund, medaljet për dy skuadrat finaliste dhe trofeun kapitenit të Prishtinës, Armend Dallku (i cili nuk luajti në këtë ndeshje për shkak të pezullimit) ia dorëzuan sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu dhe drejtori i Digitalbit për Kosovë, Jonader Bejo.
Prishtina krahas trofeut mori edhe çekun prej 20 mijë eurosh, derisa Vëllaznimi çekun me 10 mijë euro. Për Prishtinën ky ishte trofeu i 6-të në këtë garë.
 
Vëllaznimi – Prishtina 1:1 – 4:5 pas penalltive
Stadiumi “Adem Jashari”, Mitrovicë
Gjyqtarë: F. Tahiri, J. Musolli, I. Kabashi, L. Mustafa
Kartonë të verdhë: Krasniqi, Dushi, Gashi – Bozhoviq, Bashiru
Shënues: Dardan Rogova 80’ – Basit Abdul Khalid 22’
Shënuan nga penalltitë:
Vëllaznimi: L. Vula, E. Gashi, J. Dushi dhe B. Krasniqi, derisa Y. Myrtaj qëlloi tërthorësen
Prishtina: D. Miftaraj, D. Bozhoviç, Jonuzi, E. Ahmeti, A. Hoxha
Vëllaznimi: Altik Muhaxhiri, Besnik Krasniqi, Alban Dragusha, Asare Richards, Ardit Vokshi (Tun Bardhoku), Kushtrim Gashi, Jeton Dushi, Burim Qorri (Egzon Gashi), Dardan Rogova, Lorik Rudi (Yll Myrtaj), Lek Vula.
Prishtina: Visar Bekaj, Lorik Maxhuni, Jamal Arago, Agon Xhaka, Abdul Bashiru, Ergyn Ahmeti, Blend Baftiu (Ahmed Januzi), Drashko Bozhoviç, Mergim Pefqeli (Diar Miftaraj), Gauthier Mankenda, Basit Abdul Khalid (Arbër Hoxha).