30 maj, 2018 – Feniksi është kampion i ri i Kosovës në futsall. Skuadra nga Drenasi ka shënuar fitore edhe në takimin e dytë të finales së “play-off”-it, duke e mposhtur Liburnin në Gjakovë, me rezultat 2:1. Kësisoj, Feniksi iu gëzua titullit të katërt në histori të klubit, duke e mbyllur këtë edicion pa asnjë humbje. Edhe ndeshja e dytë zgjoi interesim të madh të tifozëve, të cilët e kishin stërmbushur palestrën “Shani Nushi”, por në fund titullit të kampionit dhe njëherësh daljes në Evropë iu gëzuan mysafirët nga Drenasi. Golat për Feniksin i shënuan Mentor Mejzini dhe Dardan Topilla, derisa golin e vetëm për gjakovarët e shënoi Ramadan Alaj. Në fund trofeun e kampionit kapitenit të Feniksit, Mentor Mejzini ia dorëzuan anëtari i KE të FFK-së, Ilaz Mjaku dhe kryetari i Komisionit të Futsallit, Rasim Gimolli.