7 qershor, 2018 – Kombëtarja e Kosovës është ngjitur madje 11 pozita në renditjen e re të FIFA-s, që u publikuar sot. Kësisoj, Kosova tani renditet në pozitën e 141-të, me 197 pikë, që është edhe pozita e saj më e mirë që nga pranimi në UEFA e FIFA, dy vite më parë. Deri te ky përmirësim i dukshëm në renditjen e FIFA-s, Kosova ka ardhur pas paraqitjes së shkëlqyeshme dhe fitores kundër Shqipërisë (3:0), në miqësoren e zhvilluar më 29 maj në Cyrih. Kombëtarja jonë tani e pret me entuziazëm fillimin e Ligës së Kombeve, ku synohet që të lë gjurmë me paraqitjen e saj, me çka pritet që ta përmirësojë edhe më tutje pozitën e saj në renditjen e FIFA-s. Të rikujtojmë se Kosova bën pjesë në Grupin 3 të Ligës D, së bashku me Azerbajxhanin, Maltën dhe Ishujt Faroe. Ndeshjen e parë në kuadër të këtij formati të ri të UEFA-s, Kombëtarja jonë do ta luajë si mysafire kundër Azerbajxhanit në Baku, më 7 shtator në orën 18:00, derisa tri ditë më pas do të jetë mikpritëse e Ishujve Faroe.