25 gusht, 2018 – Për tri ditë me radhë në Rennes të Francës është mbajtur Konferenca kushtuar futbollit të femrave nën përkujdesjen e FIFA-s. Në këtë konferencë panelist ishin  Sekretari i Përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës suedeze, Hakan Sjorstand, Drejtori i për zhvillim i Federatës angleze, Kelly Simmons dhe Shefja e Futbollit të femrave në UEFA, Nadine Kessler. Po ashtu në mesin e pjesëmarrësve nga FFK-ja në konferencë ishin edhe zyrtarja për zhvillimin e futbollit të femrave znj. Doruntinë Fetahaj dhe administratorja e futbollit të e femrave, znj. Valbonë Gashi-Uka. Gjatë këtyre ditëve në konferencë u përfshin prezantime dhe diskutime se si FIFA mund të mbështesë federatat anëtare të UEFA-s në zhvillimin e strategjive për të ndihmuar në rritjen dhe përmirësimin e futbollit të femrave në vendet e tyre përkatëse. Ministrja franceze e sportit, Laura Flessel, ishte një drejtuese e veçantë e ftuar dhe theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së femrave në sport. Konferencën e ka përshëndetur edhe presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, i cili tha: “FIFA është gati ta ngrisë futbollin e femrave në nivelin e duhur. Duke rritur aksesin për vajzat anembanë globit ose duke sjellë lojën elitare profesionale në lartësi të reja, sportet do të integrohen vazhdimisht në aktivitetet tona në të gjithë organizatën, kjo është e vetmja mënyrë që ne mund ta zhvillojmë më tej atë. Sot, nuk dua më t’i referohem si futboll i femrave, por thjesht si futboll”. Pjesëmarrësi kanë ndjekur ndeshjen finale të Kampionatit botëror U-20 ndërmjet Japonisë dhe Spanjës, ku ngadhënjeu Kombëtarja e Spanjës me rezultat 3:1.