2 shtator, 2018 – Me ndeshjen Prishtina – Drenica, e cila u zhvillua në orët e mbrëmjes në stadiumin “Fadil Vokrri” u përmbyll java e 3-të në IPKO Superligë. Prishtina realizoi fitoren e dytë në po aq ndeshje sa ka zhvilluar në këtë fillim edicioni, me golin e shënuar nga Gauthier Mankenda, në minutën e 62-të, me një gjuajtje nga brendësia e zonës. Ndërkohë, fitore si vendas dhe me rezultate identik kanë shënuar edhe Flamurtari dhe Gjilani. Kuqezinjtë e kryeqytetit kanë vazhduar serinë e fitoreve, duke e mposhtur KEK-un, me rezultat 1:0. Golin e tri pikëve të reja për Flamurtarin e shënoi Agron Bruqi, në minutën e 81-të, duke ia mundësuar skuadrës së tij kryesimin e renditjes edhe pas kësaj jave. Në ndeshjen tjetër, Gjilani e ka mposhtur Trepçën’89, me golin e realizuar nga Trevin Cesar, në minutën e 32-të. Mitrovicasit patën mundësi për të barazuar rezultatin në minutën e 58-të, por Martin Mircevski dështoi të realizojë nga penalltia.