Shkup 02 shtator 2018 – Vashat e Kombëtares A në ndeshjen e dytë kundër Maqedonisë , kishin nxjerrë mësime nga ndeshja e parë, pasi tash shënuan dy herë në portë në vend të tri shtyllave që kishin goditur në ndeshjen e kaluar. Ishte një mbizotërim i plotë i vajzave tona fund e krye, madje në pjesën e parë e cila u mbyzll pa gola, maqedonaset asnjëherë nuk arritën të i afrohen portës së Kolgecit. Në minutën e 12 Valentina Limani gjuajti nga krahu i djathtë fortë e portierja vendase me mund e largoi topin në fundore. Ndërsa në minutën e 23 Uka gjuajti bukur por sërish portierja ishte në vend. Pa gola u mbyll pjesa e parë, ndërsa e dyta sërish nisi me mbizotërimin e vashave tona dhe në minutën e 73-të Besjana Reçica e gjeti rrugën drejt këndit të epërm të djathtë të portës vendase, ndërkaq Panchrova vetëm e përcolli me sy topin në rrjetën e portës së saj dhe 1:0 për ekipin tonë. Gëzim i madh në stolin dhe fushën tonë e dush i ftoftë për Maqedoninë. Vajzat nuk u ndalën por rreshtuan sulmet drejt portës rivale e në minutën e 86-të Modesta Uka godet pingulen e djathtë të portës së Panchurovës, ndërsa topin e dëbuar Leonora Ejupi e zhdërvjelltë e dërgoi në portën e vendaseve dhe 2:0. Deri në fund maqedonaset u përpoqën të bëjnë diçka më shumë por rezultati mbeti i njëjtë.
Maqedonia- Kosova 0:2 (0:0)
Stadiumi i FF së Maqedonisë Shkup.
Shikues: disa qindra
Gjyqtare: I. Velevachkovska, E. Sokolevska, L. Qaili e I. Projkovska.
Shënuese: B. Reçica(73) e L. Ejupi (86) për Kos.
K.V. Jakovska e Maq. e Ejupi e Kos.
Maqedonia: Panchurova, Velevska(Panensaka), Kolevska, Maksuti, Markovska(Bogleva), Jakovska(Mitreska), Chubrinoska, Trajkovska(Stojkovska), Angelovska,  Mustafa(Belistaojanovska) e Nikolovska.
Kosova: Kolegeci, F. Shala, Reçica(Ejupi), Uka(Tahiri), Biçkaj, B. Shala, A. Thaqi(Bajra), Limani, Kryeziu, Syla(Trenava) e V. Berisha.
Deklaruan pas ndeshjes:
Afërditë Fazlija, përzgjedhëse
Pas analizës së lojës së parë ku detektuam lëshimet tona por dhe dobësitë e kundërshtarit , edhe pse edhe në atë lojë ishim më të mirë por munguan golat. Në këtë ndeshje kemi disa ndryshime që kanë të bëjnë me një lojë sulmuese dhe kemi kërkuar të jemi më të shpejtë me fokus mesfushën. Kemi luajtur 4-4-2 por kemi ndërruar edhe taktikë. Mbase fitorja erdhi edhe si pasojë e ambientimit dhe dëshirës dhe vullnetit edhe më të madh të gjithë ekipës.
 
Edona Kryeziu, kapitene
E kam thënë edhe për ndeshjen parë që luajtëm mirë, por nuk fituam ndërkaq sot mendojë ishim më të mira në çdo aspekt dominuam përmirësuam ato gabime nga ndeshja e parë dhe ia arritëm qëllimit tonë që në Kosovë të kthehemi me fitore.
 
 
 
Valentinë Limani, futbolliste
Angazhimi maksimal, bashkëpunimi ndërmjet reparteve, komunikimi i mirë mes veti sot dhanë frytin e vet. Ishim më të mira e mbizotëruam lojën, bashkëvepruam mirë në mesfushë, patëm mbrojtje të pamposhtur dhe një sulm efikas.
 
 
 
Besjana Reçica, futbolliste
Sikur që ishte një kënaqësi për mua që po startoja prej fillimit në ndeshjen e parë, sot erdhi edhe një kënaqësi e gëzim për mua dhe për ekipin sepse arrita të shënojë gol dhe në fund edhe të fitojmë.
 
 
Leonorë Ejupi, futbolliste
Sa me gëzon fakti që shënova dhe vulosa rezultatin e kësaj ndeshje më shumë me gëzon fitorja e Kombëtares dhe natyrisht është mirë kur ke kontribuar edhe me një gol. Luajtëm më mirë dhe me përgjegjësi më të madhe.