3 shtator, 2018 – Kombëtarja U21 e Kosovës ka filluar sot përgatitjet për ndeshjen kundër Irlandës, që do të zhvillohet, të premten, në orën 19:00, në Stadiumin Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë, në kuadër të Grupit 5 për kualifikimet e Evropianit 2019. Në stërvitjen e parë, e cila u mbajt në fushën “Top Football” në Mazgit, përzgjedhësi Rafet Prekazi me ndihmësit, Erdogan Celina e Naser Prapashtica, kishin në dispozicion po thuajse tërë futbollistë, pasi munguan vetëm Valmir Sulejmani, Mirlind Daku e Florent Hasani, që kishin ndeshje të dielën dhe do t’i bashkohen grupit në orët e mbrëmjes. Ndërkohë, prurjet e reja Fuad Rrahimi, Leard Sadriu, Medjon Hoxha, Dardan Karimani, Dilan Qela e Edmond Ramadani u ambientuan shumë shpejtë me grupin tjetër të futbollistëve dhe u shprehën të entuziazmuar me pritjen e bashkëlojtarëve dhe harmoninë brenda ekipit të Kombëtares U21.
Deklaruan pas stërvitjes
Dilan Qela: Është kënaqësi e madhe për mua që jam pjesë e Kombëtares U21 dhe që më është dhënë mundësia ta përfaqësojë Kosovën. Bashkëlojtarët më kanë pritur shumë mirë. Është një atmosferë shumë e mirë brenda grupit dhe shpresoj ta jap më të mirën time. Edhe pse ishte vetëm stërvitja e parë sinqerisht më është dukur sikur jam që një kohë të gjatë me këta futbollist, pasi është e lehtë kur je në një ekip që të gjithë flasim gjuhën tonë. Po ashtu edhe në lojën me top jemi kuptuar shumë mirë.
Medijon Hoxha: Kam ardhur më vonë në grumbullim sot gjatë ditës, por djemtë më kanë pritur shumë mirë. Shihet se është një atmosferë shumë e mirë brenda ekipit. Unë si i ri e kam pak më të vështirë, por të gjithë po më ndihmojnë. Realisht ende nuk e njoh mirë ekipin, por nga ajo çfarë pashë në stërvitjen e parë jam shumë i kënaqur dhe besoj se mund të marrim rezultat pozitiv kundër Irlandës.
Leard Sadriu: Për mua është një ndjenjë e jashtëzakonshme që në moshën 17-vjeçe më është dhënë mundësia të luajë për Kombëtaren U21. Më parë kam qenë pjesë e Kombëtares U17 dhe tash kalimi në U21 është një motiv shtesë për të dhënë maksimumin dhe për ta arsyetuar besimin e trajnerit. Jam pritur shumë mirë nga ekipi sikur të ishim njohur një kohë të gjatë dhe kjo është shumë e rëndësishme.
 
 
Dardan Karimani : Bashlëlojtarët më kanë pritur shumë mirë. Shihet që ka harmoni të madhe mes lojtarëve, pasi të gjithë shoqërohen dhe besoj se në ditët në vazhdim do ta njohim më mirë edhe lojën e njëri-tjetrit. Ndjehem krenar që do ta përfaqësojë vendin tim. Kam luajtur më parë edhe për Shqipërinë, por unë jam me origjinë nga Kosova dhe të luash për Kosovën  është një emocion edhe më i madh. Shpresoj të luaj disa minuta në duelin me Irlandën. Do të luajmë në Mitrovicë që është  vendlindja e familjarëve të mi. Do të jetë një ndjenjë e jashtëzakonshme, pasi aty do të vijnë edhe familjarët e mi. Nëse fitojmë kundër Irlandës do të ishte diçka e madhe, pasi do të rriteshin edhe gjasat për kualifkim në Evropian.
 
Fuad Rrahimi: Jam i lumtur që jam ftuar nga Kosova U21. Unë jam shqiptar dhe është ndjenjë e mirë dhe krenari kur luan për shtetin tënd. Po më pëlqen shumë atmosfera në grup, pasi është si një familje. Nuk ka inate, s’ka mendjemadhësi, të gjithë janë të afërt dhe kjo po më pëlqen më së shumti. Po ashtu edhe kushtet janë shumë të mira si në hotelin ku jemi akomoduar, ashtu edhe fusha ku e stërvitëm. Tash na mbetet të përgatitemi sa më mirë gjatë këtyre ditëve dhe të paraqitemi denjësisht kundër Irlandës.