7 shtator, 2018 – Kombëtarja U21 e Kosovës ka treguar një tjetër paraqitje të mirë në kuadër të kualifikimeve për Evropianin 2019, por që në fund nuk e ka marrë atë që e ka merituar – fitoren. Në fakt, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, djelmoshat e drejtuar nga Rafet Prekazi, kanë barazuar 1:1 kundër Irlandës, ndonëse me lojën e shfaqur e kanë merituar arkëtimin e tri pikëve. Në pjesën e parë Kosova pati dy raste të mira shënimi në minutën e 28-të, kur fillimisht Ardian Ismajli qëlloi traversën me gjuajtje me kokë, derisa në vijim të aksionit Rron Broja nga brendësia e zonës e qëlloi vetëm rrjetën e jashtme. Ndërkohë, në pjesën e dytë Kosova nisi shumë më mirë dhe arriti edhe të kalojë në epërsi. Në minutën e 47-të Lirim Kastrati depërtoi nga e majta, por gjuajti pran shtyllës, derisa në minutën e 65-të Kastrati këmbëshpejt sërish depërtoi nga e majta dhe e shërbeu për mrekulli Florent Hasanin, i cili me gjakftohësi e dërgoi topin në rrjetë. Megjithatë, në minutën e 82-të një pakujdesi në mbrojtje bëri që Ronan Curtis të shënojë për ta barazuar rezultatin 1:1, duke e shmangur festën e Dardanëve në “Adem Jashari”. Në minutat e mbetura Kosova bëri përpjekje që ta gjejë golin e fitores, por nuk e arriti një gjë të tillë. Kësisoj, djemtë e Kombëtares U21 u detyruan që përkundër mbizotërimit të të plotë ndaj kundërshtarit të pajtohen me një pikë nga ky takim. Ky epilog i shkoi përshtati ekipit irlandezë, i cili ruan pozitën e dytë me 14 pikë, derisa Kosova mbetet në pozitën e tretë me 12 pikë.

Deklaruan pas ndeshjes:
Rafet Prekazi: E mbizotëruam plotësisht kundërshtarin. U dëshmua se Kosova U21 ka lojtarë të ri dhe cilësor. Paraqitja e tyre është e mirë, por u ndëshkuam nga një gjysmërast. Sidoqoftë, më gëzon loja e mirë e ekipit. Në pjesën e parë ndoshta nuk ishim në nivelin më të mirë, por në pushim ua tërhoqa vërejtjen lojtarëve se nuk toleroj mbajtjen e topit dhe në pjesën e dytë shfaqëm një lojë shumë më të mirë dhe krijuam disa raste të njëpasnjëshme, duke shënuar edhe gol, por që nuk arritëm ta ruajmë epërsinë. Sidoqoftë, edhe një herë dëshmuam se Kosova është tokë e talenteve dhe sigurisht se edhe në të ardhmen Kombëtarja U21 do të prodhojë lojtarë për Kombëtaren A.
Ardian Ismajli: E kemi merituar në çdo aspekt fitoren, por futbolli e ka kështu dhe duhet të pajtohemi me barazimin. Gjithsesi, të gjithë duhet ta mbajmë kokën lartë, ngase djemtë e kanë dhënë maksimumin. Natyrisht se kemi mundur të bëjmë më shumë në këto kualifikime, por shihet se na duhet ende pak përvojë. Tash e kemi edhe një ndeshje për ta përmbyllur këtë cikël dhe duhet ta mbyllim si duhet me paraqitje dinjitoze.
Florent Hasani: Ashtu sikurse edhe në ndeshjen e parë, edhe këtë herë kundër Irlandës ishim të pafat dhe na iku fitorja nga duart. Luajtëm një pjesë të dytë shumë të mirë, realizuam një gol, por më pas pësuam një gol nga asgjë. Nëse do ta fitonim këtë ndeshje dhe më pas edhe në Izrael kemi pasur gjasa të mira për kualifikim, por tash mbetet të shkojmë në muajin tjetër në Izrael dhe të paraqitemi sa më mirë.
Lirim Kastrati: Fati nuk deshi që sonte t’i marrim tri pikë, por rëndësi ka fakti që të gjithë çunat e kanë dhënë maksimumin në fushë. Për mua kjo ishte ndeshja e dytë për U21, por për mua nuk ka rëndësi në cilën ekip luaj, pasi gjithmonë do të jem i gatshëm të luaj për Kosovën dhe do të mundohem të japë maksimumin.