11 shtator, 2018 – Sot janë zhvilluar dy ndeshjet e para të javës së 4-t në IPKO Superligën e Kosovës në futboll. Prishtina ka arkëtuar një pikë si mysafire në Suharekë, duke luajtur baras me Ballkanin 1:1. Prishtina kaloi në epërsi në minutën e 53-të me golin e shënuar nga Gauthier Mankenda. Pas këtij goli të prishtinasve ishin vendasit që u treguan më këmbëngulës për të shënuar dhe pas disa rasteve arritën ta barazojnë rezultatin në minutën e 70-të, me golin e Blend Baftiut. Ndërkohë, në ndeshjen tjetër që u zhvillua në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj, Drenica dhe Gjilani e kanë mbyllur përballjen e tyre pa fitues dhe pa gola.