Fitorja e arritur mbrëmë kundër Ishujve Faroe dhe paraqitja fantastike e djelmoshave të Kombëtares në fushë, por edhe e “Dardanëve” dhe të gjithë qytetarëve në tribunat e stadiumit ‘Fadil Vokrri’ na ka bërë krenarë të gjithëve. Nuk ka ndjenjë më të mirë sesa kur një fitore në shtëpi kurorëzohet duke qenë shembull në të gjitha aspektet dhe nuk ka pasur mundësi për përurim më të mirë të stadiumit dhe nderim të emrit të Fadil Vokrrit se sa ajo që ndodhi mbrëmë nga ‘Dardanët’ dhe të gjithë qytetarët tanë. Djemtë në fushë treguan respekt dhe kulturë të lartë sportive gjatë tërë 90 minutave, edhe pse presioni i fitores për ish-presidentin Vokrri ishte i jashtëzakonshëm tek secili prej tyre, derisa ‘Dardanët’ dhe të gjithë qytetarët që ishin në stadium me animin e tyre shembullor treguan se sa të civilizuar jemi dhe sa shumë e duam vendin tonë. Mbrëmë, ne, i treguam Evropës dhe botës, se jemi evropian të vërtetë me plotë kuptimin e fjalës dhe me organizimin dhe sjelljen e shkëlqyeshme të tifozëve e lartësuam emrin e Kosovës dhe e nderuam në mënyrën më të mirë të mundshme legjendën tonë, Fadil Vokrri, për çka morëm përgëzimet edhe nga sekretari gjeneral i UEFA-s, Theodore Theodoridis. Prandaj, në emrin tim dhe të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, edhe një herë e uroj të gjithë popullin si brenda Kosovës ashtu edhe në të gjitha vendet e botës ku jetojnë e veprojnë, për këtë fitore historike, të parën në stadiumin që për ne është i shenjtë, pasi e bartë emrin e njeriut që tërë jetën ia kushtoi futbollit dhe që e çeli shtegun e daljes tonë në arenën ndërkombëtare. Po ashtu e uroj dhe e falënderoj stafin e Kombëtares për punën e shkëlqyeshme, uroj dhe falënderoj djemtë tanë për përkushtimin, emocionin dhe spektaklin që e dhuruan në mbrëmjen e kaluar për herë të parë në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ dhe jam i bindur se ata do të na gëzojnë edhe me shumë fitore tjera. Falënderoj të gjithë krerët e institucioneve më të larta shtetërore, presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentarin Kadri Veseli, si dhe të gjitha institucionet tjera që ishin në këtë event dhe që në vazhdimësi janë përkrah futbollit. Nuk dyshoj se së bashku do të ecim përpara dhe do të kemi një ardhme të ndritur në futboll, pasi e kemi udhërrëfyesin tonë – Fadil Vokrri. Falënderoj të gjitha ekipet e përfshira në organizimin e ndeshjes si Policinë e Kosovës e kompaninë ‘Besa Security’ për punë të shkëlqyeshme, hotelin ‘Emerald’ për kateringun e mrekullueshëm, ‘Ujin e Alpeve’, drejtorinë e stadiumit, e sidomos ekipin e FFK-së për një organizim të shkëlqyeshëm si dhe ‘Dardanët’ dhe të gjithë të pranishmit e tjerë që kanë qenë fantastik me animin dhe koreografin e krijuar në tribuna dhe shembullor me sjelljet e tyre gjatë tërë ndeshjes.

Edhe një herë ju falënderoj nga zemra dhe na priftë e mbara në ndeshjet e ardhshme,

Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së