11 gusht, 2018 – Vizita e sekretarit gjeneral të UEFA-s, Theodore Theodoridis me bashkëpunëtorët e tij në Kosovë dhe prania e tij në ndeshjen Kosova – Ishujt Faroe, ishte një ngjarje shumë e rëndësishme për futbollin tonë dhe dëshmi e mbështetjes së fuqishme nga institucioni i futbollit evropian për FFK-në. Njeriu i dytë i UEFA-s, i cili në kohën e aplikimit të FFK-së për anëtarësim në UEFA ishte si këshilltar i FFK-së në të drejtën e saj ligjore, edhe një herë dëshmoi se është një mik i madh i FFK-së. Ardhja e tij kishte për qëllim që edhe një herë ta konfirmojë mbështetjen e pa rezervë që shtëpia e futbollit evropian e ka dhënë dhe do ta japë edhe në të ardhmen për zhvillimin e futbollit në Kosovë. Theodoridis i dha mbështetje të plotë presidentit Agim Ademi dhe bashkëpunëtorëve të tij në vazhdimin e rrugës dhe projekteve të nisura nga FFK në kohën e ish-presidentit Fadil Vokrri, por premtoi përkrahje të fuqishme edhe për projektet e reja të FFK-së. Nga kjo vizitë e sekretarit gjeneral Theodore Theodoridis u arrit pajtueshmëria që FFK-ja ta bëjë strategjinë e zhvillimit në partneritet të plotë me UEFA-n në mënyrë që të ecet me hapa të sigurt dhe gjigant përpara. Pra, epoka e rezultateve konkrete po fillon dhe e ardhmja e futbollit të Kosovës pa dyshim do të jetë e ndritur.